Ish-ministri Çeku: Liberalizimi i tregut të energjisë, hap drejt dobësimit ekonomik dhe pasigurisë

Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej të mësonte nga përvojat e kaluara për liberalizimin e tregut të energjisë dhe të shmangte që vendimet për energjinë të shndërrohen në një instrument politik për qeveritë e ardhshme.

Çeku ka shpjeguar se si kanë vepruar shtetet e tjera për liberalizimin e tregut të energjisë.

“Kosova, në vend që të mësonte nga këto përvoja, ndërmori hapin e liberalizimit për kompanitë e mëdha pa siguruar më parë kapacitete të reja prodhuese. Ky vendim e ka detyruar sektorin privat të lidhet me furnizues të jashtëm, duke i ekspozuar bizneset ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare dhe duke rritur ndjeshëm kostot e tyre”.

“Në vend që të krijohej konkurrencë e shëndetshme, u gjenerua paqëndrueshmëri dhe varësi gjithnjë e më e madhe nga importet”, ka shkruar Çeku.

Ai ka thënë se ajo që e veçon Kosovën nga shumica e vendeve të tjera është politizimi ekstrem i sektorit energjetik.

“Në Gjermani, Britani dhe Poloni, energjia është trajtuar si politikë kombëtare afatgjatë, e lidhur ngushtë me sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik. Në Kosovë, përkundrazi, energjia është shndërruar në një instrument politik të qeverive të radhës. Vendimmarrjet nuk janë mbështetur gjithmonë mbi analiza ekonomike dhe strategjike, por shpesh mbi llogaritje të ngushta partiake”. /Albanianpost.com

Read Previous

KOMF apelon tek prindërit: Edukoni fëmijët për respekt dhe larg dhunës

Read Next

Policia parandalon dy raste të kontrabandës me mallra në kufi