Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën mbrëma në një darkë pune ka mirëpritur Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili po e viziton Kosovën për herë të parë.
Kurti i lumtur që po e fillon vitin 2024 me një takim të rëndësishëm dypalësh me miken, partneren dhe aleaten e fortë të Kosovës, Mbretërinë e Bashkuara, ka potencuar rëndësinë e marrëdhënieve të forta bilaterale ndërmjet dy shteteve.
“Kurti e njoftoi Cameron me progresin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në tri vitet e fundit, sa në aspektin ekonomik ashtu edhe demokratik e të sundimit të ligjit. Foli për sukseset dhe sfidat e vitit 2023 dhe përkushtimin e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik krahas luftimit të krimit dhe korrupsionit, ngritje të mirëqenies së qytetarëve përmes punësimit dhe politikave të duhura sociale, dhe garantim të sigurisë dhe paqes në vend përballë sjelljes agresive dhe kërcënuese të Serbisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti, siç njofton komunikata për media, ka falënderuar Cameron për kontributin e tij edhe sa ky i fundit ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.
“Kurti falënderojë edhe për mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës në çlirimin, pavarësimin, demokratizimin, zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, dhe tash së fundmi në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë me zbarkimin e kontingjentit të parë prej 200 ushtarëve britanikë në tetor të vitit të kaluar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë”.
Në anën tjetër, komunikata njofton, se Cameron i ka ofruar Kosovës ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet e tjera.
“Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”, ka thënë Cameron, njofton Zyra e Kryeministrit.
Kjo është vizita e parë e një Sekretari të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që prej vitit 2016.
Në Prishtinë, Sekretari Cameron po shoqërohet nga i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.
Ndryshe ai të enjten pritet të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. /Albanianpost.com