Prova kryesore në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitaj, është dërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ekzaminim, pasi që nuk janë pranuar rezultate të detajuara nga ekzaminimi i saj në Turqi.
Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Kjo provë është dërguar më herët në shtetin e Turqisë, mirëpo nuk kemi pranuar rezultate të detajuara, me ç’rast është dashur të dërgohet në SHBA. Ne jemi optimistë se do të ketë të gjetura”, tha Nikçi.
Donjeta Pajazitaj është gjetur e vdekur në Bjeshkët e Strellcit, të komunës së Deçanit në vitin 2015.
8 vite më vonë, ende nuk dihet se si kishte ndodhur rasti dhe kush qëndron prapa vrasjes.
Për vrasjen e Donjetës, për më shumë se 7 vite qëndroi në burg, e 3 herë u dënua me burgim të përjetshëm kushëriri i saj Naser Pajazitaj, për tu liruar së fundmi nga Gjykata Supreme në mungesë provash.
Bazuar në aktakuzën, e Prokurorisë së Kosovës, thuhej se më 9 nëntor të 2015 derisa Donjeta 24-vjeçare po shkonte atë ditë në punë, e njëjta ishte marrë dhe ishte dërguar tek vendi i quajtur “Kroi i lajthisë” në bjeshkët e Strellcit, ku ishte vrarë me dy plumba në kokë, për t’u gjetur trupi i saj gati gjashtë javë më vonë./Reporteri.net/