Gazeta Sinjali ka raportuar gjatë ditës së djeshme ekskluzivisht për një operacion të gjerë antidrogë që u zhvillua nga Njësia për Hetimin e Narkotikëve, me mbështetje nga Forcat Speciale, kështu duke zbarkuar në disa qytete të Kosovës.
Mirëpo, burime të besueshme të Gazetës Sinjali konfirmuan se aksioni antidrogë në Prishtinë, Suharekë, Pejë dhe Viti dhe Gjilan; është ngritur mbi informacione të nxjerra nga komunikimet e përgjuara në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC” – një platformë që për vite është përdorur nga rrjete kriminale për të koordinuar veprimtari ilegale në gjithë Evropën.
Sinjali mësoi se zanafilla e hetimit daton disa muaj më parë, kur autoritetet e rendit në Kosovë, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, kanë marrë qasje në komunikimet e deshifruara të përdoruesve të Sky ECC, që dyshohej se janë të përfshirë në trafikim të narkotikëve dhe organizim të veprimtarive kriminale nga territori i Kosovës.
Komunikimet kanë përfshirë biseda, plane për shpërndarje droge, përmendje të emrave, lokacione dhe metoda të fshehjes, që kanë çuar në hapjen e një hetimi të strukturuar, me masa të fshehta teknike dhe operative për disa muaj.
Pikërisht këto informacione kanë qenë bazë për lëshimin e urdhërbastisjeve nga gjykatat, të cilat u ekzekutuan dje me asistimin e Forcave Speciale dhe Njësive të Antidrogës.
Sky ECC, e konsideruar si “komunikimi i mafisë”, është aplikacioni që u thye nga autoritetet franceze dhe holandeze, duke çuar në mijëra arrestime në Evropë – dhe tani, për herë të parë, ka gjeneruar aksione edhe në Kosovë.
Ndryshe, Sky Global kishte prodhuar telefona të pagjurmueshëm dhe ishin të preferuar për kriminelët që kryenin vrasje dhe planifikonin shumë të tjera.
Telefona të tillë kishin edhe një grup kriminal në Serbi që kishte masakruar disa persona, por edhe shumë grupe të tjera kriminale nëpër Evropë dhe jo vetëm.
Ndërkohë, siç raportoi Sinjali, në kuadër të këtij operacioni, i koduar “Qielli i Thyer”, janë arrestuar 22 persona dhe janë bastisur gjithsej 47 lokacione në katër rajone të vendit: Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Gjilan.
Tutje, Gazeta Sinjali ka siguruar emrat e pesë personave të arrestuar, që dyshohet se janë të përfshirë në rrjet të organizuar për tregti të substancave narkotike.
Në Prishtinë, burimet tona konfirmuan se janë arrestuar: Lorik Tigani dhe Onur Vizdik.
Të dy janë emra të njohur për Policinë dhe Prokurorinë, pasi ndaj tyre vazhdojnë hetime edhe në një rast tjetër që lidhet me drogë të ardhur nga Turqia. Ata janë arrestuar në orët e para të mëngjesit gjatë bastisjeve në banesat e tyre, por nuk është gjetur ndonjë sasi narkotikësh apo provë e drejtpërdrejtë.
Sinjali raportoi se në Pejë, janë ndaluar: Blerim Sharapolli, Kenan Brovina dhe Abedin Gjakova.
Po ashtu, burime të sigurta të Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se ndër të arrestuarit në Pejë janë edhe Rexhep Nikqi, pronar i kompanisë së karburanteve “Gryka Petroll”.
Si rezultat i këtij aksioni, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të provave materiale, përfshirë: Lëndë narkotike, 129 vetura, 134.900 euro para të gatshme, 20.040 franga zvicerane, 490 dollarë amerikanë, 13.000 euro të falsifikuara, 9 orë dore, 36 armë të ndryshme, 1.569 fishekë dhe 1.292 copë municion, Pajisje për përpunimin dhe paketimin e heroinës dhe kokainës, pajisje teknologjike si laptopë, telefona, USB e dokumente tjera relevante.
Po ashtu, janë ngrirë llogari bankare me mbi 500 mijë euro dhe është vendosur ndalesë për pasuritë e paluajtshme të personave të përfshirë.
Prokuroria Speciale bëri të ditur se ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë dhe të detajuar kundër një grupi të dyshuar për krim të organizuar, që vepronte edhe përtej kufijve të Kosovës.
“Operacioni ‘Qielli i Thyer’ u mbështet nga një shkëmbim efektiv i të dhënave me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe Europol-it, që mundësuan një koordinim të ngushtë ndërkombëtar. Prokurori i PSRK-së ishte i pranishëm gjatë realizimit të urdhër kontrollit dhe e ka udhëhequr drejtpërdrejt operacionin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.