Xhudoja hijeshoi flamurin e Kosovës

Për një kohë nuk kishin mundësi as të garonin nën flamurin e Kosovës, ani se i njëjti ishte prezantuar më 17 shkurt 2008, kur vendi shpalli pavarësinë nga Serbia.

Por, në momentin që Federata e Xhudos e Kosovës u pranua ndërkombëtarisht, flamuri u bë i famshëm në pothuajse çdo cep të globit. Kjo pasi ky sport, në çdo garë që po merr pjesë, po korr suksese dhe po i sjellë vendit medalje.

Puna e madhe dhe e pandalshme e trajnerit fantastik Driton Kuka, ishte qenësore në ndërkombëtarizimin e këtij sporti.

Moslejimi i garimit të Majlinda Kelmendit në vitin 2012 nën flamurin e Kosovës në Lojërat Olimpike në Londër, ende kujtohet edhe sot nga shumë sportdashës. Ishte mohuar jo vetëm Kelmendi, por e gjithë Kosova. Ajo nuk u lejua as të garonte si atlete e vetme, dhe kështu vendosi të përfaqësonte Shqipërinë atëbotë. Por katër vjet më vonë, ajo do ta arrinte një sukses që do ta ngrinte në tjetër nivel Kosovën, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë diplomatik.

Falë Kelmendit, në Rio të Brazilit ku u zhvilluan Lojërat Olimpike më 2016, u intonua himni i shtetit të Kosovës e u ngrit flamuri shtetëror në piedestal. Interesant është fakti se e gjitha ndodhi ndonëse vendi nikoqir nuk e njihte Kosovën, çka vazhdon të mos e bëjë edhe sot.

Majlinda, veç këtij suksesi, nuk mund të harrojmë se vetëm disa muaj më parë po në atë vit, kishte detyruar të themi, edhe Rusinë që të intonojë himnin e Kosovës në Kampionatin Evropian ku ajo kishte siguruar medaljen e artë.

Në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Rio, Kosova në sportin e xhudos ishte përfaqësuar nga Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova.

Kelmendi arriti të shkruajë historinë e Kosovës në këto gara, pasi fitoi një medalje, që akoma iu mungon shumë shteteve të botës, ani se janë më të fuqishme e më të mëdha për kah numri e territori – dhe pavarësinë e kanë shpallur moti kohë.

Ajo fitoi medaljen e artë, kur shumë pak kush e kishte pritur. Kelmendi nuk e bëri krenare vetëm Kosovën, por gjithë trojet ku flitet shqip, dhe e njoftoi botën me xhudon kosovare.

Majlinda u bë model dhe krijoi hapësirë që edhe garues të tjerë të ëndërrojnë e synojnë medalje në evenimentet kryesore sportive që mbahen në të gjitha sportet.

Pesë vjet më vonë, Kosova në Lojërat Olimpike të Tokios u përfaqësua nga pesë garues, nga dy sa kishin qenë më herët. Akil Gjakova, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Majlinda Kelmendin ishin garuesit e sportit të xhudos që përfaqësuan Kosovën.

Përveç numrit më të madh të garuesve, edhe numri i medaljeve u rrit. Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i bënë krenarë të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke fituar që të dyja medalje të arta.

Kështu Kosova, nga këto dy gara siguroi tre medalje – dhe nuk pritet të ndalet, pasi Lojërat Olimpike në vitin e ardhshëm do të mbahen në Paris, dhe atje sigurisht që xhudoja kosovare synon të paraqitet në mënyrë edhe më impozante se më parë.

Trajneri Driton Kuka, në një intervistë për Klankosova.tv para dy muajve, kishte thënë se presin që deri në gjashtë garues të marrin pjesë në këtë garë, ku pret edhe më shumë medalje se më parë.

Kuka këtë herë krah e ka Majlinda Kelmendin, e cila pas pensionimit ka filluar zejen e trajneres, që deri më tani është duke e bërë në mënyrë fantastike.

Sukseset e xhudistëve kosovarë çdo vit nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga e tërë bota, pasi është e pamundur që në një garë xhudistët kosovarë të kthehen pa ndonjë medalje.

Gjatë vitit 2022, xhudistët kosovarë ishin në formë të lartë, duke e pasuruar arkën e Kosovës me shumë medalje.

Duke filluar qysh në garën parë në vitin 2022, që kanë marr pjesë në Grand Prixin e Portugalisë, kampionia olimpike Distria Krasniqi e rrëmbeu medaljen e artë.

Ndërsa në Grand Slamin e Parisit, Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë.

Në European Open të Sarajevës, Loriana Kuka e rrëmbeu medaljen e artë.

Distrisë medalja nuk i mungoi as në Kampionatin Evropian, pasi e rrëmbeu të bronztën. Teksa xhudistja nga Mitrovica, Laura Fazliu e pati një paraqitje fantastike duke arritur të fitojë medaljen e bronztë.

Distria Krasniqi e artë ishte edhe në Grand Slamin e Tbilisit.

Edhe në Lojërat Mesdhetare nuk munguan medaljet nga sporti i xhudos, pasi pesë sosh u siguruan nga kosovarët.

Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu e fituan medaljen e artë, teksa Akil Gjakova dhe Flaka Loxha e fituan atë të bronztën.

Në Grand Prixin e Kroacisë, Distria si çdo herë siguroi medalje, këtë herë të argjendtën.

Edhe në Kampionatin Botëror të Xhudos, Distria Krasniqi fiton medalje, atë të bronztën.

Në Grand Slamin e Abu Dabit, Nora Gjakova pasi u rikthye prej një lëndimi që e mbajti jashtë për rreth 15 muaj, e fitoi medaljen e argjendtë. Ndërsa Loriana Kuka e fitoi të bronztën.

Edhe në Grand Slamin e Bakut, Nora u stolis me medalje, këtë herë me të bronztën. Pa medalje në këtë garë nuk mbeti as Loriana Kuka, e cila po ashtu u stolis me medaljen e bronztë.

Edhe në garën e fundit në vitin e kaluar, medaljet s’patën se si të mungonin – Distria Krasniqi u stolisë me medaljen e artë, teksa Laura Fazliu e argjendtë. Gara ishte në World Judo Masters që u mbajt në Jeresualem.

E duket se shkolla e xhudos nuk e ka në plan të ndalet as këtë vit. Kjo pasi më 29 janar, Loriana Kuka u stolis me të bronztën në Grand Prixin në Portguali. E vetëm pak ditë më vonë, më 4 shkurt, Distria Krasniqi rrëmbeu të artën në Grand Slamin e Parisit. Kurse Flaka Loxha, më 11 shkurt Kosovës i solli medaljen e radhës – të argjendtën në Ciklin e Kupave Botërore kualifikuese për Lojëra Olimpike që u mbajt në Sofje, Bullgari.

Kështu sporti i xhudos, me këto suksese po e hap dritaren që Kosova të njihet nga e tërë bota. /Klankosova.tv

Read Previous

Xhaferi: Rugova e Jashari trasuan rrugën historike të Pavarësisë së Kosovës

Read Next

Ambasadori francez në Beograd: Plani evropian është një mundësi historike