Në fundjavë, Superliga e basketbollit nis rrethin e dytë

Superliga e Kosovës në basketboll rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së tetë, e cila shënon edhe fillimin e rrethit të dytë të kampionatit, me disa përballje interesante në program.

Vëmendja kryesore do të jetë në Suharekë, ku të dielën, nga ora 17:00, Golden Eagle Ylli do të përballet me liderin e tabelës, Bashkimin. Skuadra vendase synon të shfrytëzojë përparësinë e terrenit për të marrë një rezultat pozitiv, pas fitores ndaj Rahovecit 029 në xhiron e kaluar.

Në anën tjetër, Bashkimi udhëton drejt Suharekës me gjashtë fitore dhe vetëm një humbje, duke synuar ta vazhdojë rrugëtimin pozitiv në kampionat. Në përballjen e parë të këtij sezoni, prizrenasit kishin triumfuar bindshëm me rezultat 96:60.

Një tjetër përballje që pritet të zgjojë interesim të madh është ajo ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës, e cila zhvillohet të shtunën, nga ora 19:30, në palestrën “Karagaqi”. Përkundër rivalitetit të madh ndër vite, të dyja skuadrat po kërkojnë stabilitet në këtë edicion, me Pejën që ka regjistruar dy fitore e pesë humbje, ndërsa Prishtina tri fitore e katër humbje.

Kampionia në fuqi, Trepça, do të kërkojë vazhdimin e serisë pozitive në përballjen me Rahovecin 029, të dielën nga ora 19:30, në palestrën “Minatori”. Mitrovicasit kanë regjistruar katër fitore radhazi dhe synojnë ta shfrytëzojnë edhe këtë ndeshje për të mbetur në garë për kreun e tabelës. Në duelin e parë sezonal, “Xehetarët” kishin fituar me rezultat 106:101.

Ndërkohë, në Gjakovë, Vëllaznimi do të jetë nikoqir i Borës, të shtunën nga ora 17:00. Gjakovarët synojnë fitoren e dytë në këtë kampionat, kurse skuadra prishtinase kërkon të vazhdojë me rezultate pozitive, pas triumfit ndaj Pejës në xhiron e kaluar. Në takimin e parë, Bora kishte fituar me rezultat të thellë 90:67.

Me këto përballje, xhiroja e tetë pritet të sjellë rivalitet dhe emocione në parketet e basketbollit kosovar, ku skuadrat do të synojnë pikë të rëndësishme në nisje të fazës së dytë të kampionatit. /KosovaPress/

Read Previous

​Hapet ekspozita “Kosova e Kadaresë” në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit

Read Next

Publikohet lista e futbollistëve të grumbulluar në kombëtaren shqiptare për dy sfidat e nëntorit