Kurti: Urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve të luftës duhet të gjykohen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar raportin vjetor të punës së Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), nga drejtori ekzekutiv i këtij institucioni, Atdhe Hetemi.
Me këtë rast, Kurti ka vlerësuar të arriturat e institutit në dokumentimin e krimeve të luftës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet, organizatat dhe qytetarët në Kosovë dhe më gjerë.
Ai ka bërë me dije se në fund të korrikut është publikuar lista preliminare me 13 mijë e 195 viktima të vrara të luftës, të verifikuara për periudhën 1998–2000. Sipas tij, databaza përditësohet çdo ditë, ndërsa rezultatet e reja do të publikohen në fund të janarit 2027.
Kurti ka përmendur edhe publikimin e vëllimit të parë shkencor nga shtëpia botuese ndërkombëtare “Routledge”, me 12 punime shkencore, organizimin e konferencës së dytë ndërkombëtare shkencore, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione partnere ndërkombëtare.
“Pastaj kemi pasur edhe mbledhjen e dëshmive dhe intervistimit të të mbijetuarve me mbi 127 intervista të realizuara nga rreth 1,000 sosh sa janë të planifikuara në kuadër të projektit ‘Kujtesa e Masakrave’, ka theksuar Kurti.
Sipas Kurtit, arkivi i institutit po pasurohet vazhdimisht përmes mbledhjes, digjitalizimit dhe verifikimit të materialeve dokumentuese.
“Po krijohet një bazë e qëndrueshme dokumentare dhe shkencore për ruajtjen e të vërtetës historike, por njëkohësisht edhe një arkiv tejet i vlefshëm për sistemin e drejtësisë, në veçanti për Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, të kërkohet përgjegjësia dhe të gjithë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve ndaj shqiptarëve që janë bërë në kuadër të forcave të ndryshme të Serbisë të udhëhequra nga regjimi i Millosheviqit, të gjykohen e të dënohen në Republikën tone”, shtoi Kurti.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i IKKL-së, Atdhe Hetemi, ka thënë se mbështetja institucionale për dokumentimin e krimeve të luftës është dëshmi e pjekurisë politike dhe institucionale.
Ai ka theksuar se instituti është shndërruar në një qendër ku grumbullohen materialet që dokumentojnë krimet e luftës, të cilat më pas u vihen në dispozicion studiuesve, institucioneve dhe palëve që kanë nevojë për to për qëllime shkencore, kulturore dhe të drejtësisë.
Hetemi ka bërë me dije se qytetarët në Kosovë dhe diasporë po kontribuojnë vazhdimisht me informacione të reja për viktimat e luftës, ndërsa përditësimi i radhës i të dhënave pritet të publikohet në fund të janarit 2027.
“Instituti është shndërruar në një qendër në të cilën të gjithë ato burime që posedojnë materiale që dokumentojnë krimet e luftës i dorëzojnë këto materiale, dhe në të njëjtën kohë të gjitha ato palë që kanë nevojë për materiale që dokumentojnë krimet e luftës furnizohen pikërisht nga instituti për qëllime të punimeve të tyre shkencore, kulturore apo edhe për çështje të drejtësisë”, pohoi ai. /RTKlive