Von der Leyen për sulmet e Hamasit mbi Izrael: Është terrorizëm në formën e tij më të neveritshme

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka dënuar sulmin e Hamasit mbi Izrael.

“Unë dënoj pa mëdyshje sulmin e kryer nga terroristët e Hamasit kundër Izraelit. Është terrorizëm në formën e tij më të neveritshme”, ka shkruar ajo në Twitter.

“Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër sulmeve të tilla të neveritshme”.

Për situatën në Izrael ka reaguar edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Deri tash sipas mediave të huaja që kanë mbulim në Izrael janë raportuar katër të vdekur nga sulmet e Hamasit.

Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festë fetare hebreje. Po ashtu vjen pas një periudhe të luftimeve intensive në Bregun Perëndimor, ku pothuajse 200 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite gjatë bastisjeve këtë vit. Ndërkaq, si pasojë e sulmeve palestineze ndaj caqeve izraelite janë vrarë mbi 30 persona.

Izraeli ka mbajtur një bllokadë strikte në Gaza që kur Hamasi mori territorin në vitin 2007. Kufizimi i lëvizjes së mallrave dhe njerëzve ka shkatërruar ekonominë në Gaza, por Izraeli ka thënë se bllokada është e nevojshme për të parandaluar që armët të arrijnë te grupet militante.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor më 1967 gjatë luftës gjashtëditore.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Bilçik: Formimi i Asociacionit do të reduktonte tensionet në Veri të Kosovës

Read Next

Izraeli nis kundërsulmin, sulmon objektivat e Hamasit në Gaza