Pamjet që tregojnë disa burra që sulmojnë gratë në një restorant në qytetin Tangshan, kanë shkaktuar zemërim në rrjetet sociale kineze, duke nxitur thirrjet e mediave shtetërore për ndëshkim për autorët si edhe rishikimin e politikave për mbrojtjen e grave.
Pamjet e kamerave tregojnë një burrë që hyn në një restorant barbeque rreth orës 2:40 të mëngjesit dhe kalon pranë një gruaje që është ulur dhe po ha ushqim së bashku me dy gra të tjera. Burri shihet duke iu afruar njërës prej tyre dhe duke i vendosur dorën në shpinë, para se ajo ta largojë.
Pas rezistencës së gruas, burri përgjigjet duke e goditur në fytyrë. Më pas, fillon një përleshje mes të dyve. Gruaja tenton ta largojë duke tentuar ta godasë me një shishe qelqi. Pamjet e kamerave tregojnë mikeshat e gruas duke u përpjekur të ndalojnë zënkën, por përfundojnë duke u rrahur nga burri si dhe një grup burrash të tjerë që hyjnë në restorant.
Në video, gratë shihen duke u grushtuar, shkelmuar, kapur dhe tërhequr zvarrë nga flokët në tokë.
Pasi video u bë publike, policia e Tangshan publikoi një deklaratë të premten pasdite duke thënë se kishin identifikuar të dyshuarit dhe ishin në kërkim të tyre. Të nëntë personat u arrestuan, tha policia lokale në një deklaratë të shtunën. Policia tha se gratë kishin pësuar lëndime jo të rrezikshme për jetën dhe po trajtoheshin në spital. Gjendja e tyre ishte e qëndrueshme.
Pamjet e dhunshme shkaktuan një protestë kombëtare mbi sigurinë e grave. Incidenti u diskutua gjerësisht në rrjetet sociale kineze gjatë fundjavës dhe shkaktoi zemërim publik. Disa njerëz në internet po vënë në pikëpyetje sigurinë e grave në Kinë, ndërsa të tjerë po diskutojnë dhunën sistematike ndaj grave.
Autoritetet urdhëruan që hetimi penal i këtij rasti të zhvendosej në Langfang, një qytet i veçantë në provincën Hebei. Një vendim i tillë ndodh zakonisht kur hetimi është i rëndësishëm.
Burimet: CNN, Reuters