Bllokimi i fluturimit të Lavrov në Serbi tregon vlerën e Ballkanit Perëndimor për BE-në

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov nuk shkoi dot në Beograd më 6 qershor. Zakonisht, kjo gjë nuk do të përbënte lajm. Tek e fundit Lavrov nuk shkon përditë në Beograd. Por në atë datë të caktuar, ai donte të shkonte atje, dhe disa vende të vogla ballkanike e penguan udhëtimin e tij, duke ia bërë të qartë se do ta mbyllnin hapësirën e tyre ajrore për avionin me të cilin do të udhëtonte.

Duke vepruar në përputhje me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, treguan se mund ta ndalonin ministrin e jashtëm të Rusisë së fuqishme, që të vinte në rajonin e tyre. Pra Lavrov qëndroi në Moskë. Mbyllja e qiejve të Ballkanit ndaj Lavrov, tregon se si sanksionet mund ta dëmtojnë ndikimin e Rusisë.

Po ashtu ajo tregoi se “rrjeta” ende e paplotë e aleatëve dhe institucioneve që ka “thurur” Bashkimi Evropian në Ballkan gjatë 30 viteve të fundit është jo vetëm e fortë, por edhe e vlefshme për luftën e tij gjeopolitike kundër Rusisë. Për dekada, politikëbërësit në BE dhe në Ballkan kanë pyetur se çfarë mund të bëjë unioni për vendet në rajon.

Ndërsa zgjidhjet e tyre nuk kanë qenë asnjëherë plotësisht të kënaqshme, janë bërë shumë përpjekje për të krijuar stabilitet dhe për të integruar pjesërisht shumë shtete në BE dhe NATO. Me luftën në Ukrainë, tani ka ardhur koha të pyesim: çfarë mund të bëjë Ballkani për BE-në?

Përgjigja është: më shumë nga sa duket se e pranojnë liderët e BE-së apo të Ballkanit Perëndimor. Mesazhi që mori Kremlini nga mbyllja e hapësirës ajrore, është se aleatët e tij në Ballkan janë të rrethuar nga vende anëtare të BE-së dhe NATO-s, të cilat pavarësisht nga sipërfaqja e tyre e vogël, janë të gatshëm dhe në gjendje t’i rezistojnë Rusisë.

Dhe ky është një shembull i vogël për të treguar vështirësitë me të cilat do të përballet një Rusi gjithnjë e më e izoluar, për të imponuar narrativën dhe praninë e saj në Ballkan, një rajon ku ajo është angazhuar tradicionalisht për të minuar interesat perëndimore.

Ndërkohë, anulimi i vizitës së Lavrov në Serbi, i ka treguar botës se pavarësisht dëshirës së saj për pasjen e një statusi ndërkombëtar të ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara, Rusia nuk po mundet të përmbushë detyrën e thjeshtë të dërgimit të përfaqësuesit të saj për të takuar një udhëheqës mik të Rusisë siç është presidentin Aleksandër Vucic në Serbi, apo kryeministri Victor Orban në Hungari.

Sikurse ka theksuar politologu gjermano-amerikan Hans Morgenthau “politika e prestigjit” është e rëndësishme për çdo fuqi të madhe apo që pretendon të bëhet e tillë. Shtetet që përballen me izolim apo rënie janë veçanërisht të joshura nga shfaqjet e prestigjit. Kjo është pjesërisht arsyeja se përse Moska angazhohet aq shumë në “politikën e prestigjit”.

Edhe përpara pushtimit brutal të Ukrainës, Rusia donte të tregonte me çdo mënyrë statusin e saj si një fuqi e madhe, për të treguar sferën e saj të ndikimit, dhe për ta përdorur narrativën e saj si një shtet i fuqishëm për të sprapsur NATO-n dhe BE-në jashtë zonave të saj të ndikimit.

Rusia u përpoq të dobësonte evropianët aty ku ishte e mundur në Ballkanin Perëndimor, dhe ta përdorte këtë rajon për të treguar se BE-ja ishte e paaftë për të stabilizuar dhe kontrolluar vendet fqinje me të. Shpeshherë, Moska ka qenë në gjendje ta bëjë këtë me sukses për shkak të mungesës së motivimit nga Brukseli për të qenë aktiv në rajon.

Mbyllja e hapësirës ajrore, minoi jo vetëm kapacitetin e Rusisë për të treguar prestigjin e saj, por nxori gjithashtu në pah vlerën e Ballkanit Perëndimor për BE-në në këtë moment gjeopolitik kritik.

Ndërsa Rusia po has shumë vështirësi në pushtimin e Ukrainës, Bashkimi Evropian duhet të angazhohet mbi themelin e krijuar nga përpjekjet e saj të gjata për stabilizim dhe integrim në Ballkanin Perëndimor. Udhëheqësit e BE-së pritet ta përdorin takimin e Këshillit Evropian të 23-24 qershorit, për të sqaruar perspektivat për anëtarësimin në union të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Partneritetit Lindor.

Mbetet të shihet nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë shanse reale për të vazhduar negociatat e tyre me BE-në. Përballë aplikimeve të fundit nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia – dhe me shtetet e Ballkanit Perëndimor që vazhdojnë të qëndrojnë prej vitesh në dhomën e pritjes – BE-ja duket shumë e mbingarkuar.

Teksa janë afër fundit të presidencës së tyre të BE-së, francezët po përpiqen që të përcjellin një frymë alternative për komunitetin politik me anë të presidentit Emmanuel Macron, një koncept që duket se e kuptojnë vetëm disa zyrtarë përveç tij.

Republika Çeke, vendi që mban presidencën e radhës së BE-së, ka lënë të kuptohet jo-zyrtarisht se prioritet për të janë Ukraina dhe vendet e tjera të Partneritetit Lindor, duke e lënë në fund të listës Ballkanin Perëndimor. Në përgjithësi, shtetet anëtare të BE-së duken të ndara nëse duhet t’i japin përparësi Ukrainës apo shteteve të Ballkanit Perëndimor, apo asnjërës prej tyre.

Udhëheqësit evropianë duhet të mësojnë nga poshtërimi i Lavrov nga 2 vende të vogla jashtë BE-së dhe që janë pjesë e Ballkanin Perëndimor, se në këtë rajon nuk ka vetëm rreziqe, por edhe mundësi. BE-ja ka shumë avantazhe ndaj Rusisë në Ballkanin Perëndimor, për shkak të afërsisë gjeografike, lidhjeve të forta ekonomike dhe kulturore, si dhe orientimit gjeopolitik të shumicës së vendeve.

Në rast se udhëheqësit evropianë duan që të përfitojnë sa më shumë nga këto avantazhe, ata duhet të kenë së pari një ide të qartë të synimeve të tyre në këtë rajon. Do të jetë e rëndësishme të rivendoset besueshmëria ndaj procesit të zgjerimit. Por zgjerimi nuk është i vetmi – madje as mjeti kryesor – për të kundërshtuar ndikimin rus (apo kinez) në Ballkanin Perëndimor.

BE-së i duhet lloji i politikës së jashtme të fuqishme dhe diplomacisë këmbëngulëse, në të cilën vetëm SHBA është angazhuar deri më tani vazhdimisht atje. Po ashtu Brukseli duhet të fokusohet në përmirësimin e qëndrueshmërisë së institucioneve demokratike lokale, për të cilat procesi i zgjerimit ka qenë gjithmonë kritik.

Duke e kombinuar zgjerimin me diplomacinë intensive, Bashkimi Evropian mund të demonstrojë fuqinë e saj dhe dobësinë e Rusisë. Mjerisht, në prag të samitit të liderëve të

BE-së këtë muaj, shtetet anëtare duket se e kanë humbur tërësisht vëmendjen nga këto detyra thelbësore, për shkak të mosmarrëveshjeve politike që kanë me njëri-tjetrin.

Ata po nxitojnë tani të justifikojnë mungesën e guximit të unionit për të vazhduar me procesin e zgjerimit. Kjo tregohet nga propozimi i Emannuel Macron për krijimin e një komunitet politik evropian. Anulimi i udhëtimit të Lavrov drejt Beogradit, është një incident relativisht i vogël. Por ai simbolizon atë që është në rrezik për BE-në në Ballkanin Perëndimor, dhe mundësitë e mëdha që ofron ky rajon në luftën kundër Rusisë. /abcnews.al

Read Previous

Gjermania me pagë të re minimale

Read Next

Videoja e grave që sulmohen brutalisht shkakton zemërim publik (VIDEO)