Videoja e grave që sulmohen brutalisht shkakton zemërim publik (VIDEO)

Pamjet që tregojnë disa burra që sulmojnë gratë në një restorant në qytetin Tangshan, kanë shkaktuar zemërim në rrjetet sociale kineze, duke nxitur thirrjet e mediave shtetërore për ndëshkim për autorët si edhe rishikimin e politikave për mbrojtjen e grave.

Pamjet e kamerave tregojnë një burrë që hyn në një restorant barbeque rreth orës 2:40 të mëngjesit dhe kalon pranë një gruaje që është ulur dhe po ha ushqim së bashku me dy gra të tjera. Burri shihet duke iu afruar njërës prej tyre dhe duke i vendosur dorën në shpinë, para se ajo ta largojë.

Pas rezistencës së gruas, burri përgjigjet duke e goditur në fytyrë. Më pas, fillon një përleshje mes të dyve. Gruaja tenton ta largojë duke tentuar ta godasë me një shishe qelqi. Pamjet e kamerave tregojnë mikeshat e gruas duke u përpjekur të ndalojnë zënkën, por përfundojnë duke u rrahur nga burri si dhe një grup burrash të tjerë që hyjnë në restorant.

Në video, gratë shihen duke u grushtuar, shkelmuar, kapur dhe tërhequr zvarrë nga flokët në tokë.

Pasi video u bë publike, policia e Tangshan publikoi një deklaratë të premten pasdite duke thënë se kishin identifikuar të dyshuarit dhe ishin në kërkim të tyre. Të nëntë personat u arrestuan, tha policia lokale në një deklaratë të shtunën. Policia tha se gratë kishin pësuar lëndime jo të rrezikshme për jetën dhe po trajtoheshin në spital. Gjendja e tyre ishte e qëndrueshme.

Pamjet e dhunshme shkaktuan një protestë kombëtare mbi sigurinë e grave. Incidenti u diskutua gjerësisht në rrjetet sociale kineze gjatë fundjavës dhe shkaktoi zemërim publik. Disa njerëz në internet po vënë në pikëpyetje sigurinë e grave në Kinë, ndërsa të tjerë po diskutojnë dhunën sistematike ndaj grave.

Autoritetet urdhëruan që hetimi penal i këtij rasti të zhvendosej në Langfang, një qytet i veçantë në provincën Hebei. Një vendim i tillë ndodh zakonisht kur hetimi është i rëndësishëm.

Burimet: CNN, Reuters

Read Previous

Bllokimi i fluturimit të Lavrov në Serbi tregon vlerën e Ballkanit Perëndimor për BE-në

Read Next

110 ditë luftë, ja si është situata në Ukrainë