Vendet nordike forcojnë mbrojtjen ndaj kërcënimeve ruse

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, në shumë vende nordike janë duke u ringjallur planet e mbrojtjes totale. Një komunë norvegjeze e njohur si Kongsberg, ka nisur të rihapë strehimoret e epokës së Luftës së Ftohtë, duke instaluar sisteme të reja komunikimi satelitor dhe është duke punuar me ushtrinë për të ndihmuar në rast konflikti.

“Mësimi nga Ukraina është se e gjithë shoqëria duhet të angazhohet,” ka thënë zyrtari i emergjencave Odd John Resser.

Në Kongsberg, pas një sërë incidentesh të dyshimta – përfshirë përpjekje për të dëmtuar motorë avionësh luftarakë dhe fluturime të paautorizuara me dronë – ekspertët kanë paralajmëruar se sabotimi rus po rikthehet si një kërcënim real, sikurse në Luftën e Dytë Botërore.

Sipas Associated Press, çdo pjesë e shoqërisë në vendet nordike është duke bërë përgatitje për luftë, që nga rezervat ushqimore deri te gatishmëria civile. Raportohet se Norvegjia ka vendosur që në ndërtime të reja të përfshihen sërish strehimore, ndërsa hapa të ngjashëm kanë bërë edhe Suedia e Finlanda.

Pra, dihet se të tre vendet po shtojnë investimet në mbrojtjen civile. Finlanda, për shembull, veçse ka strehimore që mund të mbulojnë mbi 80% të popullsisë. Ndërsa Oslo dhe qytete të tjera norvegjeze, kërkojnë nga qytetarët të kenë furnizime me ushqim e ujë për të paktën shtatë ditë në rast krizash.

Ndërkohë, zyrtarë të mbrojtjes në Norvegji dhe analistë në Europë po paralajmërojnë se Rusia po intensifikon veprimtarinë e saj deri në nivel “paralufte”, ndërsa shumë vende ende nuk janë zgjuar përballë rrezikut.

Read Previous

Shkolla “Ardhmëria” në Ramoc shënoi 78-vjetorin e themelimit

Read Next

Parashikimi i motit për sot