Në aksidentin e autobusit me mërgimtarë kosovarë në Sllavonski Brod të Kroacisë humbën jetën 10 persona nga Kosova, ku 4 prej tyre janë konfirmuar nga komuna e Gjakovës. Shumë të tjerë u lënduan e mesin e tyre edhe Ilda Zeka, nga komuna e Gjakovës. Pak çaste pas tragjedisë Ilda ia kishte dalë të kontaktojë me të ëmën, e cila rrëfeu për televizionin tonë momentet kritike të komunikimit duke treguar për orët më pas, pa ndonjë informatë për vajzën.
Sipas informatave aktuale që ka nga e bija, gjendja e saj është e mirë dhe stabile. Sot të gjithë ata që janë në gjendje të mirë shëndetësore. Të njejtit pritet të japin deklaratë në polici, e pastaj në mënyrë të organizuar do të monitorohen për t’u kthyer në vendlindje këtë fillim javë. Lindita thotë se mirëkupton gjendjen e rënduar të atyre që kanë humbur më të dashurit mirëpo neglizhenca e institucioneve për familjarët e të lënduarve në aksident ka qenë e paarsyetueshme.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.