Po i prisnin për pushime, por malli e gëzimi u kthyen në tragjedi

Po i prisnin familjarët që jetojnë në mërgim për t’i kaluar së bashku pushimet në vendlindje.Por tani po i presin trupat e më të dashurve të tyre që humbën jetën rrugës për në Kosovë. Në mesin e 10 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Kroaci ishin edhe Valentina Zhubi Binakaj dhe vajza e saj Erlinda Binakaj nga fshati Devë i komunës së Gjakovës. Në shtëpinë e familjes Binakaj janë hapur dyert për ngushëllime. Mëngjesi i së dielës ishte i kobshëm jo vetëm për ne por për gjithë Kosovën kështu thanë familjarët të cilët shumë rëndë po e përjetojnë këtë situatë.

Të shumtë janë ata që kanë ardhur për të shprehur ngushëllime dhe për të ndarë dhimbjen me familjen Binakaj. Këtu erdhi edhe kryetari i komunës Ardian Gjini së bashku me drejtorët komunal. Me këtë rast Gjini tha se ky lajm është i rëndë për të gjithë ne dhe do të japim kontributin tonë me të gjitha kapacitetet që kemi.

Ata që erdhën për të ngushëlluar familjarët ishin edhe përfaqësues të kompanisë “Deva Tours” autobusi i së cilës u rrokullis në Slavonski Brod të Kroacisë ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë e dhjetëra të tjerë u lënduan. Prapa kamerave për mediumin tonë ata thanë se ne ndajmë dhimbjen thellë me të gjithë familjarët e pasagjerëve. Kompania jonë me të gjitha mundësitë do të iu qëndrojë afër të gjithë familjarëve të viktimave dhe të të lënduarëve në këtë aksident tragjik. Përndryshe sipas familjarëve e ndjera Valentina ishte së bashku me tri vajzat e saj, ku vajza e dytë Erlinda së bashku me të, vdiqën në vendin e ngjarjes. Ndërsa dy vajzat tjera po trajtohen në spitalin rajonal të Slavonski Brodit. Sipas burimeve të tv Syri ato po vinin në vendlindje për një gëzim familjar, por gëzimi e malli nuk ju zgjati shumë.Në orët e hershme të së dielës për këtë familje gjithçka u kthye në tragjedi.

Theksojmë se në nderim të viktimave që humbën jetën në këtë ngjarje të rëndë dita e hënë është shpallur ditë zie shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës.Edhe në komunën e Gjakovës flamujt janë ulur në gjysmë shtizë.

Read Previous

Vajza i mbijetoi aksidentit tragjik në Kroaci, e ëma rrëfen komunikimet pak çaste pas aksidentit

Read Next

Nga 2.406 testime, 14 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19