Turistët zgjedhin Shkodrën, mbi 146 mijë vizitorë në kalanë e Rozafës deri në tetor

Shkodra është një nga qytetet kryesore për turizmin në Shqipëri, me një kombinim unik të kulturës, historisë dhe natyrës.

Një nga simbolet kryesore të qytetit, është Kalaja e Rozafës, e vendosur mbi një kodër që ofron pamje mahnitëse të lumit Buna dhe qytetit të Shkodrës.

Gjatë këtij sezoni turistik, vizitorë të shumë kanë vizituar Kalanë e Shkodrës, me dëshirën për t’u njohur me historinë dhe legjendën e saj.

Këtë e tregojnë edhe shifrat e bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër (DRTK). Sipas DRTK nga 1 janari deri më 31 tetor kalaja e Shkodrës është vizituar nga 146 541 vizitorë.

Një rritje kjo sipas të dhënave prej 26% nga viti i kaluar, duke qëndruar në krye të listës së siteve dhe monumenteve të vendit tonë.

Investimet e kryera në kala e kanë kthyer atë në një atraksion turistik të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Ata shfaqin interes edhe për muzeun, ku janë të ekspozuara objekte që i përkasin Antikitetit dhe Mesjetës, si dhe mozaikun romak të shek. IV pas Krishtit zbuluar në vitet ’78-79 në pjesën e poshtme të qytetit.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare.  /ATSH/

Read Previous

Shpërthimi i bombës në hekurudhë në Pakistan ka vrarë të paktën 25 persona

Read Next

Kina po përpiqet të rregullojë ekonominë e saj