Trupi gjykues ia vazhdon paraburgimin Thaçit, përmendet rreziku i pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtutjeshme

Trupi gjykues ia ka vazhduar masën e paraburgimit ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, kjo pasi sipas tyre,  ekziston rreziku i pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtutjeshme

Fillimisht, në vendim thuhet se trupi gjykues rikujton se në Konferencën e 15-të të Statusit para gjyqtarit të procedurës paraprake, Mbrojtja Thaçi dhe Mbrojtja Veseli ngritën një çështje në lidhje me zbulimin e materialit nga ZPS-ja në lidhje me besueshmërinë e dy dëshmitarëve të ZPS-së me lidhje të pretenduar me inteligjencën serbe.

Aty thuhet se sipas mbrojtjes Veseli, informacionet e këtyre dëshmitarëve mund të jenë mbështetur për vendimet e mëparshme të gjyqtarit të procedurës paraprake për paraburgim.

“Z. Thaçi hoqi dorë nga e drejta për rishikim të paraburgimit të tij brenda periudhës dy mujore të përcaktuar në nenin 41(10) të Ligjit dhe, me kërkesë të mbrojtjes së Thaçit, gjyqtari i procedurës paraprake e zgjati orarin për përgjigjen e Thaçit në mënyrë specifike për të lejuar kohë e mjaftueshme që Mbrojtja e Thaçit të adresojë çështjen e zbulimit që e ngriti në Konferencën e 15-të të Statusit”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se Paneli më tej thekson se në një vendim të datës 9 dhjetor 2022, gjyqtari i procedurës paraprake urdhëroi ZPS-në që të zbulojë dokumente të ndryshme në lidhje me çështjen e ngritur në Konferencën e 15-të të Statusit.

Sipas tyre, në atë vendim, gjyqtari i procedurës paraprake gjithashtu refuzoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për të bërë parashtresa të mëtejshme për paraburgimin vetëm pasi të ketë marrë nga ZPS-ja dokumentet që janë objekt i urdhrit.

“Mbrojtja e Thaçit vazhdon të sfidojë besueshmërinë e dëshmitarëve të ZPS-së me një lidhje të supozuar me Serbinë. Kolegji konstaton se vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake për vazhdimin e paraburgimit nuk është bazuar në asnjë mënyrë materiale në informacione që nuk janë të besueshme, ose se asnjë gjyqtar i arsyeshëm nuk mund ta merrte atë në konsideratë për qëllimin e kufizuar të vendosjes së kësaj çështjeje. Paneli gjithashtu konstaton se informacioni i kundërshtuar nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me asnjë nga faktorët e përcaktuar në nenin 41 të Ligjit ose do të ndikonte materialisht në gjetjet e Panelit në lidhje me ndonjë nga këta faktorë”, thotë vendimi.

Sipas këtij vendimi, Paneli konkludon se për momentin nuk ka informata të mjaftueshme para se të arsyetohet konstatimi se vazhdon rreziku që Thaçi të ikë nga drejtësia.

Megjithatë, thuhet se Paneli është i bindur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston rreziku që  Thaçi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së ose të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë provat në këtë rast dhe/ose duhet të paraqiten para DhSK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.

“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit;  Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9:  vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit;  Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

10 librat më të mirë të vitit

Read Next

Mbahet akademi përkujtimore me rastin e 130 vjetorit të lindjes së 6 mësuesve nga Gjakova