Të dhënat gjenetike të britanikëve mund të keqpërdoren nga Kina

Një alarm i vërtetë është ngritur pas tensioneve të fundit mes Pekinit dhe botës perëndimore, ku në Britaninë e Madhe janë shfaqur shqetësime të shumta mbi keqpërdorimin e mundshëm që mund t’i bëhet të dhënave gjenetike të gjysmë milionë britanikëve.

Një kompani e quajtur UK Biobank, e cila operon në fushën e bioshkencave, ka bërë me dije se në rreth 300 projekte me të cilat ajo po punon, bëjnë pjesë edhe ekspertë kërkimorë kinezë, të cilët kanë akses në të dhënat gjenetike të mbi 500 mijë shtetasve britanikë.

Këta të fundit janë kryesisht vullnetarë, të cilët japin aprovim për t’u testuar nga kompania, në mënyrë që të zhvillohen medikamente apo metoda shërimi për sëmundje të caktuara.

Sipas Biobank, akses në Kinë kanë pasur vetëm kërkues shkencorë shumë të përzgjedhur, të cilët edhe kanë nënshkruar kontrata të mirëhartuara mbi përdorimin e të dhënave që do të testonin.

Mirëpo, duke njohur regjimin e Xi Jinping në Kinë, ekziston një frikë e madhe se nën trysninë e Qeverisë, këta kërkues shkencorë të japin informacione konfidenciale.

Përplasjet e fundit, të cilat janë zhvilluar kryesisht mes SHBA-ve dhe Kinës sa i përket çështjes së Tajvanit, kanë parë përfshirjen edhe të partnerëve perëndimorë.

Ndaj, shqetësimi britanik është më se real në kushtet e politikës globale ku ndodhemi. Mbi të gjitha, me Pekinin që nuk njeh “rregulla loje” ndërkombëtare kur i leverdis.

Pavarësisht se kontratat dhe sistemi i monitorimit të Biobank është i qëndrueshëm, ai kryesisht bazohet tek mirëbesimi me kërkuesit shkencorë në Kinë. Ndaj, nuk mund të vendoset dora në zjarr për atë çfarë ndodh me të dhënat.

Ekspertë të shumtë kanë shprehur po ashtu shqetësim të madh, duke e parë ndarjen e të dhënave si problematike. Mbi të gjitha, duke marrë parasysh se aspekti kontraktual mes Biobank dhe ekspertëve kinezë, nuk do të jetë shumë i lehtë për t’u zbatuar ligjërisht, në rast shkeljesh. /Albanianpost.com

Read Previous

Reagon presidenti Begaj pas ngjarjes në uzinën e armëve në Gramsh

Read Next

Zelensky uron Usyk për fitoren ndaj Joshuas: Simbol se ukrainasit do luftojnë dhe fitojnë