Takimi Kurti – Vuçiç, Sarrazin: S’ka entuziazëm të madh, të implementohet Asociacioni

Për të deleguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, “nuk ka entuziazëm të madh” për takimin e nëntë në mes të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it në kuadër të dialogut në Bruksel, por se as optimizmi nuk mungon se do të bëhet një hap i vogël përpara në drejtim të zgjidhje së çështjeve aktuale.

“Nuk ka asnjë entuziazëm të madh se do të ndodhë një përparim i madh, bëhet fjalë për hapa konkretë për de-eskalim në Veri të Kosovës, për të hapur derën dhe për të filluar në një rrugë pozitive. Nevojitet lajme të mira në rajon”, potencoi ai në një intervistë për mediumin serb, N1.

I pyetur se çfarë mund të arrihet pas një raundi ri të dialogut, Sarrazin ka theksuar se fillimisht duhet të përmbushet plani i BE-së për de-eskalim në Veri.

“Presioni politik për të arritur de-përshkallëzimin është shumë i lartë, të dyja palët duhet të dëshmojnë se do të japin diçka”, shtoi ai.

Sipas tij përshkallëzimi në Veri e ka bërë të vështirë rrugën e zgjerimit për rajonin drejtë BE-së.

“Ka një përshkallëzim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe është toksik për të gjithë rajonin, duhet progres, që të ketë një të ardhme evropiane për Serbinë, Kosovën, gjithë rajonin”, potencoi ai.

Për diplomatin gjerman absolutisht më e rëndësishme është që jeta në Veri të Kosovës të normalizohet, të përfundojë frika nga dhuna, që njerëzit e zakonshëm t’i kthehen jetës normale, veçanërisht në katër komunat me shumicë serbe.

“Të gjithë qytetarët – në Serbi dhe Kosovë duhet të bëhen qytetarë të BE-së”.

Sipas Sarrazin në dialog mund të arrihen zgjidhje të rëndësishme vetëm nëse përmbushet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe pikat e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Mendoj se është e qartë se bashkësia ndërkombëtare pret që pala kosovare të ecë përpara ku Asociacioni do të zbatohet siç është rënë dakord, në përputhje me rregulloret kushtetuese të Kosovës”.

/albanianpost/

Read Previous

BQE-ja me kritika ndaj taksës italiane mbi fitimet e ‘papritura’ të bankave

Read Next

Çka pret opozita nga takimi Kurti-Vuçiq?