Sveçla reagon sërish ndaj festimeve provokuese të maturantëve në veri

Të premten, disa maturantë kanë festuar përfundimin e shkollës me flamuj dhe këngë në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës.

Gjatë festimeve, janë shënuar disa provokime nga ana e maturantëve serbë, por Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

E një reagim rreth situatës e ka bërë sërish ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton Telegrafi.

Ai ka deklaruar se serbët po bëjnë propagandë.

“Ja si duket propaganda serbe: Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngufatje. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë nga e re nga ta”, ka pohuar ai.

Sveçla deklaron tutje se “Kjo propagandë mund të ketë efekt vetëm tek të painformuarit dhe qarqet nacionaliste në Serbi”.

Ndryshe, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se maturantët serbë kanë bërë disa provokime gjatë festës.

“Gjatë festimit të maturës ka pas provokime dhe për të mos ardhë deri te eskalimi i situatës policia ka reaguar. Situata është qetësua dhe maturantët kanë vazhdua festën e tyre pa pas nevojë për reagim shtesë”, ka thënë Elshani. /Telegrafi/

Read Previous

Vizita e parë zyrtare në Zvicër – Çfarë deklaroi Osmani për diasporën e politikën në Kosovë

Read Next

“Defender Europe 25”, ministri në detyrë Maqedonci jep detaje