Disa ditë pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, mesazhet vijojnë të mbërrijnë në frontin e Super League, e cila nuk ka marrë dritën jeshile nga ky vendim, por as ndalesë, duke qenë se dënon pozicionin monopol të UEFA dhe FIFA .
Nëse numëroni votat jo të shprehura ndaj Super League, sigurisht që është një front shumë më i madh se ato pro. Por, sigurisht, nëse shikoni vetëm brenda kufijve italianë, vëreni një përqindje të konsiderueshme të klubeve që nuk kanë marrë ende një qëndrim përfundimtar për këtë çështje.
Dyshime që nuk lindën për FIGC dhe Lega Serie A, të cilët përsëritën dëshirën e tyre për të qëndruar brenda kufijve të UEFA dhe FIFA, por gjithashtu specifikuan se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur statusin aktual të futbollit italian dhe garat e tyre.
Këtë pozicion e ndajnë klube si Inter, Roma, Atalanta, sa për të përmendur disa, dhe në orët e fundit edhe Fiorentina dhe Torino me deklaratat e presidentëve të tyre përkatës.
Rocco Commisso ia besoi linjën e klubit një deklarate zyrtare në faqen e internetit të Violave, e cila përsërit se “ndonëse i vetëdijshëm se do të ketë ende një kohë të gjatë për qartësi përfundimtare dhe për të njohur në detaje çdo modalitet dhe aplikim të modelit të ri të futbollit të propozuar, ai megjithatë beson se lindja e një gare të re, siç e konceptuan organizatorët, përbën një rrezik serioz, në nivele të shumëfishta, për kampionatet kombëtare”.
“Përshtypja është se klubet, në disa raste me borxhe të mëdha dhe vështirësi ekonomike, hartojnë sisteme të reja vetëm për të shlyer borxhet e tyre dhe për të rritur distancën nga realitetet e shëndetshme, si në nivel ekonomik, ashtu edhe financiar”, vijonte deklarata.
Ky është në fakt konfirmimi i linjës së Comisso, i cili prej vitesh kërkon të fusë promovime dhe rënie edhe në sistemin e futbollit amerikan, i cili aktualisht nuk i parashikon.
Sa i përket Presidentit Cairo, në intervistën e gjatë për “La Gazzetta dello Sport”, ai e cilësoi Super League si “murtajë” dhe se është një “shpikje e dëmshme që nuk i kushton vëmendjen më të vogël se çfarë është merita sportive”.
Në gjysmë të rrugës janë veçanërisht dy trajnerë që ndjekin konceptin e Jurgen Klopp-it, menaxherit të Liverpool-it, i cili thotë se është kundër Super League, por është i lumtur që është nënvizuar se diçka duhet të ndryshojë në krahasim me status quo-në e vendosur nga UEFA dhe FIFA. Në Itali në këtë linjë janë Ivan Juric, trajner i Torino-s dhe Gian Piero Gasperini i Atanala-s.
Trajneri i Torino-s nënvizoi në lidhje me këtë: “Jam i lumtur që nuk ka më monopol mes FIFA-s dhe UEFA-s, nuk më pëlqen si organizojnë kalendarët, ka shumë ndeshje, edhe për shkak të të gjitha ndeshjeve të kombëtareve. Dhe pasoja janë lëndimet e shumta”.
“Absolutisht nuk jam dakord me Super League. Nuk jam dakord me një turne që përjashton meritën, por është e drejtë që të kërkohen zgjidhje të tjera”, theksoi ai.
Gasperini analizoi këtë koncept dhe mori parasysh ndryshimet e futura nga sistemi i ri i tre ligave të shpjeguara nga Bernd Reichart, CEO i “A22 Sports Management” i cili kujdeset për interesat e projektit të Super League.
“Futbolli duhet të jetë për të gjithë dhe duhet të jetë një meritokraci”, tha trajneri i Atalanta-s në konferencën për shtyp para ndeshjes me Bologna-n. “Duhet të kuptojmë në muajt apo vitet e ardhshme se çfarë do të thotë ky vendim”.
Milan-i është sigurisht në një pozicion vlerësimi dhe së bashku me Inter-in dhe Juventus-in (asnjë anëtar i Juventus-it nuk e ka komentuar deri më tani), kishte nënshkruar kontratën për Super League-n e parë në 2021 me nëntë emra të tjerë të mëdhenj të futbollit evropian. Kjo u konfirmua menjëherë nga presidenti Paolo Scaroni, i cili deklaroi në “TG1” mbrëmjen e së enjtes: “Është herët për të shprehur opinione, ne kemi filluar një proces për të diskutuar gjërat me të gjithë”.
Pozicioni i ripërsëritur edhe nga CEO i kuqezinjve, Giorgio Furlani, i cili deklaroi para Salernitana-Milan mbrëmë: “Ka ndodhur shumë gjëra, ne duhet të analizojmë gjithçka. Për ne prioritet është të përqendrohemi te futbolli italian, se si ta bëjmë atë konkurrues në nivel europian”.
Duke hedhur një hap tjetër dhe duke përfunduar analizën e pozicioneve të protagonistëve të futbollit italian, arrijmë se kush në fakt hapi derën e Super League-s. Për momentin, këtë e kanë bërë dy presidentë si Claudio Lotito dhe Aurelio De Laurentiis, numri një i Lazio-s dhe Napoli-t.
“Në fund do të ndryshojë vetëm se ku përfundojnë paratë, dhe ndjenja ime është se shumë burime mund të lirohen për klubet”, tha Lottio.
“Sot UEFA mban një pjesë të të ardhurave, një pjesë shpenzon, një pjesë ua jep klubeve. Nëse nuk quhet Champions League dhe quhet Super League, do të duhet të kalojmë gjithmonë nga kampionati, thjesht ndryshon se ku përfundojnë këto para”, shtoi ai.
Jo citime, por një pozicion i saktë vjen nga De Laurentiis, i cili, raportojnë burimet e “ANSA”, synon të marrë pjesë në një dialog me klubet e tjera të mëdha evropiane për të ndërtuar projektin së bashku. Presidenti i Napoli-t është shprehur disa herë se është pro një Super League si një turne alternativ me kritere meritokratike. /Albanianpost.com