Pasi në Prishtinë sjell yje botërore të muzikës gjatë festivalit “Sunny Hill”, tash ylli botëror Dua Lipa synon t’i drejtojë të rinjtë e talentuar nga ajo rrugë. Nëntë janë gjithsej dhe shkathtësitë e tyre do të zhvillohen në kompozim, krijim të këngëve e produksion muzikor në akademinë “Musikmakarna”, një prej më të shquarave dhe më të suksesshme në botë në fushën e muzikës.
Një pjesë e mirë e skenës muzikore në Evropë ndërtohet prej melodive e teksteve të krijuesve nga Suedia. Tradita muzikore është e kahershme, nga klasikja që jehon edhe sot qindra vjet pas, në rock bendin ikonik ABBA dhe deri në producentin e performuesin e muzikës elektronike me famë botërore, Avicii.
Nëntë të rinj, siç ka bërë të ditur fondacioni “Sunny Hill”, do të mund të gjurmojnë karrierën e këtyre emrave prej së afërmi.
“Studentët do të vizitojnë edhe muzetë e bendit legjendar ABBA, fondacionin e DJ-it të famshëm suedez Avicii dhe do të takojnë emra të rëndësishëm të muzikës dhe produksionit suedez”, shkruhet në komunikatën e “Sunny Hill” duke e listuar këtë si një prej fakteve me rëndësi.
Tjetri është që akademia e muzikës “Musikmakarna” është “e njohur si institucion nga i cili kanë dalë disa nga kompozitorët, krijuesit dhe producentët më të suksesshëm në Suedi dhe në mbarë botën”.
Siç është bërë e ditur në komunikatë, kampi do të jetë intensiv dhe do të zgjasë një javë, nga 19 deri më 24 gusht.
“Nëntë talentë të rinj të muzikës kosovare janë gati të zhvillojnë aftësitë e tyre në kompozim, krijim të këngëve dhe produksion muzikor në një nga akademitë më prestigjioze të muzikës në botë. Falë bashkëpunimit të suksesshëm midis fondacionit ‘Sunny Hill’ dhe akademisë ‘Musicmakarna’ në Suedi, këta të rinj do të marrin pjesë në një kamp intensiv njëjavor, ku do të mësojnë nga ekspertët më të mirë të industrisë dhe do të kenë rastin të krijojnë një rrjet të vlefshëm kontaktesh në botën e muzikës”, bën të ditur “Sunny Hill”.
Aty citohet themeluesi i këtij fondacioni, Dukagjin Lipa, duke e vlerësuar punëtorinë si platformë unike./koha.net/