Një zyrtar policor dyshohet se është sulmuar dhe penguar gjatë detyrës – për çka edhe është arrestuar një person.
Lajmi është bërë i ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
“Është arrestuar i dyshuari kosovar për arsye se kishte penguar dhe sulmuar një zyrtar policor derisa ai ishte duke u marrë me një rast aksident trafiku. I dyshuari gjatë intervistimit po ashtu e ka kanosur verbalisht zyrtarin policor”, thuhet në raport.
I dyshuari njoftohet se është dërguar në mbajtje.
Në raport theksohet se në Klinë, të martën, është konfiskuar një armë.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjysmë automatike dhe 89 copë fishekë. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, kanë thënë nga PK-ja.
Edhe në Rahovec të martën, një person dyshohet se ka kryer veprën penale ‘armëmbajtje pa leje’
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit kosovar janë gjetur dhe konfiskuar një armë AK47 dhe një pistoletë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njoftohet tutje.
Ndërsa, në Prishtinë, një person dyshohet se ka ushtruar dhunë në familje atij po ashtu i është gjetur substancë narkotike.
“Ankuesi kosovar ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar tre gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë”, theksohet nga PK-ja.
Sipas raportit, në Kosovë, brenda 24 orëve kanë ndodhur pesë raste të dhunës në familje.
Ndryshe, më 23 korrik, një person ishte arrestuar në Rahovec, pasi ai dyshohej se i kishte kërcënuar zyrtarët policor.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur kishte kanosur një zyrtarët policorë derisa njësia policore po merrej me një aksident trafiku”, thuhej në raportin e PK-së.
Aty theksohej se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Albanianpost.com