Studiuesit brazilianë gjejnë shkëmbinj të krijuar nga plastika në një ishull të largët

Prej vitesh, gjeologjia e ishullit vullkanik Trindade të Brazilit i ka magjepsur shkencëtarët.

Mirëpo, zbulimi i shkëmbinjve të bërë nga mbeturinat plastike po ngre alarmin.

Plastika e shkrirë është ndërthurur me shkëmbinj në ishull, që ndodhet 1 mijë e 140 kilometra nga shteti juglindor i Espirito Santo.

Dhe studiuesit janë të mendimit se është dëshmi e ndikimit në rritje të njerëzve mbi ciklet gjeologjike të tokës.

“Kjo është e re dhe e tmerrshme në të njëjtën kohë, sepse ndotja ka arritur në gjeologji”, ka thënë gjeologia Fernanda Avelar Santos.

Santos dhe ekipi i saj kryen teste kimike për të zbuluar se çfarë lloj plastikash janë në shkëmbinj të quajtur “plastiglomerate”, sepse ato janë bërë nga një përzierje granulash sedimentare dhe mbeturinave të tjera të mbajtura së bashku nga plastika.

“Ne identifikuam që ndotja kryesisht vjen nga rrjetat e peshkimit, të cilat janë mbeturina shumë të zakonshme në plazhet e ishullit Trinidade”, ka dalluar Santos.

“Rrjetat tërhiqen zvarrë nga rrymat detare dhe grumbullohen në plazh. Kur temperatura rritet, kjo plastikë shkrihet dhe bëhet e ngulitur me materialin natyror të plazhit”, ka vijuar ajo.

Ishulli Trindade është një nga pikat më të rëndësishme të ruajtjes në botë për breshkat e gjelbra, ose Chelonia mydas, me mijëra që mbërrijnë çdo vit për të lëshuar vezët e tyre.

Të vetmit banorë njerëzorë në Trindade janë anëtarë të marinës braziliane, e cila mban një bazë në ishull dhe mbron breshkat.

“Vendi ku gjetëm këto mostra plastike është një zonë e ruajtur përgjithmonë në Brazil, afër vendit ku breshkat e gjelbra lëshojnë vezët e tyre”, ka thënë Santos.

Sipas saj, zbulimi ngjall pyetje në lidhje me trashëgiminë e njerëzve në tokë.

“Ne flasim kaq shumë për Antropocenin, dhe kjo është ajo”, ka theksuar Santos, duke iu referuar një epoke të propozuar gjeologjike të përcaktuar nga ndikimi i njerëzve në gjeologjinë dhe ekosistemet e planetit.

“Ndotja, mbeturinat në det dhe plastika e hedhur gabimisht në oqeane po bëhet material gjeologjik i ruajtur në të dhënat gjeologjike të tokës”, ka përmbyllur gjeologia. /Albanianpost.com

Reuters

Read Previous

Akuzohet se përdori fotografi false të Hënës për reklama, reagon Samsung

Read Next

Manchester United vendos një afat të ri për ofertat e përmirësuara të blerësve