“Shqipëria avancon në rrugën drejt BE-së me hapjen e grup-kapitujve 2 dhe 3 të negociatave”

Shqipëria avancon në rrugën drejt Bashkimit Europian me hapjen e grup-kapitujve 2 dhe 3 të negociatave, të cilët janë thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e konkurrueshmërisë në tregun europian.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot përmes një postimi në rrjetet sociale se nga 17 kapituj negociatash, ministria që ai drejton udhëheq bisedimet në 10 prej tyre, duke luajtur një rol kyç në këtë proces.

Gonxhja bën të ditur se “Grup-kapitulli 2 – Tregu i Përbashkët, përfshin 9 kapituj, nga të cilët 7 udhëhiqen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke adresuar çështje të rëndësishme për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punës. Grup-kapitulli 3 – Konkurrueshmëria, përbëhet nga 8 kapituj, ku 3 prej tyre udhëhiqen nga e njëjta ministri, me fokus në politikat e konkurrencës, ndihmën shtetërore dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë.”

Ministri Gonxhja nënvizoi se angazhimi për reforma strukturore dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së po intensifikohet, duke e sjellë Shqipërinë më pranë integrimit europian. /ATSH/

Read Previous

Përshkrimi i medias britanike: Shqipëria, “parajsa” europiane

Read Next

Konfiskohen dy kartëmonedha nga 200 euro në Gjakovë, dyshohet të jenë të falsifikuara