Forcat e armatosura pakistaneze kanë ndërmarrë “sulme të shumta” duke përdorur dronë dhe municione të tjera përgjatë kufirit perëndimor të Indisë që nga e enjtja në mbrëmje deri të premten në mëngjes, njoftoi ushtria indiane, ndërsa përplasjet midis dy shteteve me armë bërthamore po intensifikohen, shkruan Gazeta Sinjali.
Përshkallëzimi i dhunës erdhi pas një sulmi të kryer nga India të mërkurën ndaj disa objekteve në territorin pakistanez, të cilat i quajti “kampe terroriste”, në hakmarrje për një sulm vdekjeprurës të ndodhur muajin e kaluar në rajonin e trazuar të Kashmirit, për të cilin autoritetet indiane pretendojnë se qëndron pas tij Islamabadi.
Ndërkohë, Pakistani ka mohuar akuzat për përfshirje, por përplasjet mes dy palëve janë intensifikuar, duke përfshirë shkëmbime zjarri ndërkufitar dhe përdorim të dronëve në hapësirat ajrore të njëra-tjetrës, që deri tani kanë shkaktuar vdekjen e 40 personave.
Sipas ushtrisë indiane, trupat pakistaneze kanë kryer “shkelje të shumta të armëpushimit” përgjatë vijës ndarëse në Kashmir. “Sulmet me dronë u zmbrapsën në mënyrë efektive dhe shkeljes së armëpushimit iu dha një përgjigje adekuate”, theksoi ushtria, duke shtuar se “të gjitha sulmeve do t’u përgjigjen me forcë”, raportoi Reuters.
Nga ana tjetër, Islamabadi ka mohuar se ka pasur sulme në qytetin Pathankot në shtetin indian të Punjabit, në Srinagar në Luginën e Kashmirit dhe në Jaisalmer në Rajasthan, duke i quajtur akuzat “të pabaza” dhe “të motivuara politikisht”.