“A flasim për burrat” komedia që hapi festivalin “ArtMania”, dhe solli të qeshura pa fund tek publiku
Mbrëmë është hapur zyrtarisht edhe gara e shfaqjeve të cilat do të ngjiten në skenën e teatrit “Hadi Shehu”, në kuadër të festivalit ArtMania. Përveç drejtuesve të festivalit , ca fjalë për këtë organizim pati edhe kryetari I komunës Ardian Gjini, i cili vlerësoi angazhimin e ideatorëve, për t’i sjellë Gjakovës, diçka të veçantë.
Teatri i Korçës “Andon Zako Cajupi” , me komedinë “A flasim për burrat”, nisi rrugëtimin i pari në ArtMania. Tre shoqe të cilat bëhen bashkë cdo ditë dhe diskutojnë për ata, për burrat. Ndarjet, lidhjet dhe çdo gjë tjetër, vajzat e ndanë mbrëmë me publikun në sallë.
Interaktiviteti me të pranishmit, e bëri shfaqjen tejet të veçantë. Me plot energji, vajzat filluan të kërkojnë burrë tek publiku.
Rolet e interpretuara nga Rozana Radi, Blerta Belliu, e Lola Meta janë shoqet që i kemi të gjitha vajzat në jetën tonë, thotë Radi, teksa vlerëson publikun që ishte gjithë vesh gjatë lojës së tyre.
Regjisorja Andeta Radi u shpreh se nuk e kishte pritur një reagim kaq pozitiv nga publiku gjakovar, teksa shpreson që kjo shfaqje e punuar me shumë dashuri nga tre aktoret, të sjellë edhe cmim në edicionin e parë të këtij festivali, që është edhe kompetitiv.
Sonte publiku në teatrin “Hadi Shehu” mund të ndjek shfaqjen “Andorra” nga teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit. Dyert e teatrit janë të hapura për të gjithë artdashësit me fillim nga ora 19:00.