Seanca e Apelit ndaj Mustafës, Prokurori Michalczuk: Është rrezik të arratiset nëse lirohet nga paraburgimi

Në konferencën përgatitore të Apelit ndaj Sali Mustafës i dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vite burgim për krime lufte nga gjykata e shkallës së parë, avokati i Julius Von Bone, ka thënë se sa i përket çështjes së paraburgimit, nuk dëshirojnë të ngrenë asnjë çështje në këtë pikë dhe nëse dëshirojnë këtë do ta bëjnë më vonë përmes mocionit të veçantë të apelit.

Ndërsa, prokurori Cezary Michalczuk tha se pozicioni i tyre është që Mustafa duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

“Pas dënimit prej 26 vite, besojmë se përveç rreziqeve që janë konfirmuar nga trupi gjykues, edhe rreziku i arratisjes është i pranishëm në këtë rast”, tha ai.

Ndryshe, kryetarja e Panelit të Gjykatës së Apelit, Michele Picard, theksoi se sa u takon dosjeve të apelit, përgjigjeve dhe kundërpërgjigjeve, të njëjtat duhet të jenë në përputhje me numrin e lejuar të fjalëve ashtu siç kërkohet në udhëzues, ku parashikohet se numri i lejuar i fjalëve për dosje të apelit janë 30 mijë fjalë.

“Ju sapo iu referuat numrit të lejuar të fjalëve, ndërkohë thash se kemi 9 arsye për apel, por kemi ndoshta 50 apo 60 nën arsye dhe mund të na duhen më shumë fjalë, parashikoj mbase do të kërkojmë të shtohet numri i lejuar i fjalëve në mënyrë që të mund të bëjmë dosjen tonë”, tha Von Bone.

Për çka akuzohet Salih Mustafa?

Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohej për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.

Këto krime dyshohet se ishin kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishtë konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhej se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndërkaq, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

/AlbanianPost.com/

Read Previous

Machu Picchu rihapet pas 25 ditësh protestash masive

Read Next

Duele fantastike na presin sot në Ligën e Evropës, gjigantët evropianë zbresin në fushë