Scholz përballet sot me votëbesim në Bundestag

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të përballet të hënën me një votëbesimi në parlamentin gjerman që pritet ta humbasë, duke i hapur rrugën ekonomisë më të madhe të Bashkimit Evropian për të mbajtur zgjedhje të parakohshme në shkurt.

Qeveria trepartiake famëkeqe e Scholz-it u shemb më 6 nëntor kur kancelari shkarkoi ministrin e tij të Financave, për shkak të një mosmarrëveshjeje të gjatë mbi mënyrën se si të rigjallërohej ekonomia e rrënuar e Gjermanisë. Kjo i la dy partnerët e mbetur të qendrës së majtë pa shumicë në parlament.

Udhëheqësit e disa partive të mëdha ranë dakord më pas që zgjedhjet parlamentare të mbaheshin më 23 shkurt, shtatë muaj më herët se sa ishte planifikuar fillimisht. 

Kushtetuta e Gjermanisë e pas Luftës së Dytë Botërore nuk lejon që dhoma e ulët e parlamentit, ose Bundestagu, të shpërndahet, kështu që nevojitet një votëbesimi për të çuar në zgjedhje të parakohshme.

Çfarë ka gjasa të ndodhë?

SocialDemokratët e Scholz-it kanë 207 vende në Bundestag dhe pritet të votojnë për kancelarin.

Partnerët e tyre të mbetur të koalicionit, ambientalistët “Të Gjelbrit”, kanë 117 vende dhe planifikojnë të abstenojnë. Kjo do të thotë se Scholzi nuk i afrohet aspak shumicës prej 367 në dhomën prej 733 vendesh të nevojshme për të fituar votën e besimit.

Nëse Scholz humbet, i takon presidentit Frank-Walter Steinmeier të vendosë nëse do të shpërndajë Bundestagun. 

Steinmeier, i cili ka thënë muajin e kaluar se “ky vend ka nevojë për shumicë të qëndrueshme dhe një qeveri që është e aftë të veprojë”, ka 21 ditë për të marrë këtë vendim. Pasi të shpërndahet parlamenti, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve.

Në praktikë, fushata tashmë është duke u zhvilluar mirë.

Kush është në garë?

Teksa ka kërkuar zyrtarisht votëbesimin të mërkurën, Scholzi ka deklaruar  se votuesit “do të vendosin në zgjedhje se si do t’u përgjigjemi pyetjeve të mëdha me të cilat përballemi”.

Këto, sipas tij, përfshijnë faktet: nëse Gjermania do të vendosë të investojë fuqishëm në të ardhmen e saj, të sigurojë vende pune dhe të modernizojë industrinë e saj, të mbajë nivelet e pensioneve të qëndrueshme, dhe të afrohet më shumë drejt një paqeje të drejtë në Ukrainë pa u tërhequr në luftë”.

Gjermania është bërë furnizuesi më i madh ushtarak i Ukrainës në Evropë, por Scholzi gjithashtu ka refuzuar ta furnizojë atë me raketa me rreze të gjatë “Taurus” për shkak të shqetësimeve të përshkallëzimit të luftës me Rusinë.

Në anën tjetër, sfiduesi i qendrës së djathtë, Friedrich Merz, ka parashikuar të shtunën “një nga fushatat më të vështira zgjedhore” në historinë moderne gjermane. Ai ka thënë se është thelbësore që ekonomia të bëhet më konkurruese, sepse “konkurrueshmëria e ekonomisë sonë është parakusht për gjithçka tjetër”.

Sondazhet tregojnë se partia e Scholz-it mbetet pas bllokut kryesor opozitar të Merz-it, CDU.

Zëvendëskancelari, Robert Habeck, të Gjelbërit e të cilit janë më mbrapa, është gjithashtu në garë për postin kryesor të vendit.

Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) ka emëruar Alice Weidel si kandidate të saj për kancelar, por nuk ka asnjë shans për të marrë këtë detyrë sepse partitë e tjera refuzojnë të punojnë me të.

Votat e besimit janë të rralla në Gjermani, një vend me 83 milionë banorë që vlerëson stabilitetin. Kjo është hera e gjashtë në historinë e saj të pasluftës që një kancelar e thërret një votëbesim.

I fundit ishte në vitin 2005, kur kancelari i atëhershëm, Gerhard Schröder orkestroi zgjedhje të parakohshme që u fituan ngushtë nga sfiduesja e qendrës së djathtë, Angela Merkel. /KOHA.net/

Read Previous

BE-ja miraton paketën e 15-të të sanksioneve ndaj Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut

Read Next

Norvegjia ndan 242 milionë dollarë për marinën ukrainase