Rubio kërcënon me sanksione Kremlinin

Donald Trump ka bërë të ditur se do të flasë në telefon me presidentin rus Vladimir Putin të hënën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke thënë se telefonata do të jetë për “ndalimin e ‘gjakderdhjes'”. Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan tha se telefonata do të zhvillohet në orën 10:00 dhe më pas ai do të fliste me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit e disa vendeve të NATO-s.

Komentet e Trump vijnë pasi ai sugjeroi se përparimi në përfundimin e luftës do të ndodhte vetëm nëse ai dhe Putini do të zhvillonin bisedime ballë për ballë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi për agjencitë ruse të lajmeve se po bëhen përgatitje për një telefonatë midis Putinit dhe Trumpit të hënën. “Biseda është duke u zhvilluar”, tha Peskov për agjencinë e lajmeve Tass.

Trump shkroi në Truth Social se: “Shpresojmë të jetë një ditë produktive, të arrihet një armëpushim dhe kjo luftë shumë e dhunshme, një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, të përfundojë”.

Moska ka lëvizur më ngadalë nga sa do të donte Trump, por mirëpriti përpjekjet amerikane për ndërmjetësim, në një telefonatë të shtunën midis Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov. Rusia dhe Ukraina nuk arritën asnjë përparim kur zhvilluan bisedimet e tyre të para ballë për ballë në tre vjet në Stamboll të premten, megjithëse u ra dakord për një shkëmbim të burgosurish. Trump ishte ofruar të merrte pjesë në bisedimet në Turqi nëse edhe Putini do të ishte atje, por presidenti rus refuzoi të shkonte. Pas bisedimeve në Stamboll, Ukraina përsëriti gjithashtu thirrjen e saj për një armëpushim të plotë dhe pa kushte, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë, bëhet e ditur se përpara telefonatës së planifikuar midis Donald Trump dhe Vladimir Putin, qeveria amerikane, ka paralajmëruar qartë Kremlinin për mundësinë e sanksioneve të reja. Sekretari i Shtetit Marco Rubio i tha CBS News se ata kanë qenë “mjaft të qartë” me palën ruse në javët e fundit. Rubio shpjegoi se Moskës i ishte bërë e qartë se kishte një shumicë të gjerë në Parlament në favor të masave shtesë nëse nuk do të kishte përparim në bisedimet për Ukrainën. Edhe pse administrata i ka kërkuar Kongresit një shtyrje për të lënë hapësirë për negociata, në fund të fundit ajo nuk mund ta ndalojë procesin. Kur u pyet nëse Moska po përpiqej thjesht të fitonte kohë, Rubio tha: “Pikërisht këtë po testojmë tani.” (A2 Televizion)

Read Previous

Ceremoni solemne në Vatikan

Read Next

“Aeroplani fluturoi 10 minuta pa pilot” – zbulohen detaje të një raporti rreth një fluturimi të Lufthansa-s