Reuters: Ndotja e ajrit rrezikon anëtarësimin e shteteve të Ballkanit në BE

Për 30 vjet, Shemsi Gara operoi me një gërmues gjigant në një minierë qymyri në Kosovë, duke nxjerrë pluhur toksik që mbulonte fytyrën e tij dhe i futej në rrugët e frymëmarrjes. Jeta në shtëpi nuk ishte shumë më e mirë: termocentralet të cilat miniera i furnizon vazhdimisht lëshonin tym mbi fshatin e tij.

Gara vdiq të dielën në moshën 55-vjeçare, pasi tre vjet trajtim nuk arritën të kontrollonte kancerin e tij në mushkëri. Në ditët e tij të fundit, i paaftë për të ecur, ai qëndronte në një divan në shtëpi, i rraskapitur dhe me dhimbje, ndërsa një makinë pomponte oksigjen në trupin e tij që po vdiste.

“Vazhdoja t’i thosha se doja ta ndihmoja, por nuk munda”, shprehet bashkëshortja e tij Xhejlane, e cila mbante zi në dhomën e saj me miqtë të mërkurën. 

“Ai thoshte ‘Vetëm Zoti e di dhimbjen që kam’”, ka shtuar ajo.

Ndërsa pjesa më e madhe e botës po lëviz për të reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile, ndotja në vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet dukshëm e lartë për shkak të ngrohjes së shtëpive, impianteve të vjetëruara të qymyrit, veturave të vjetra dhe mungesës së parave për të trajtuar problemin.

Qytetet relativisht të vogla, si kryeqyteti i Serbisë, Beogradi dhe kryeqyteti i Bosnjës, Sarajeva, shpesh kanë kryesuar listat e përditshme të ndotjes globale, sipas faqeve të internetit që ndjekin cilësinë e ajrit në mbarë botën.

Kjo ka ndikime të kushtueshme shëndetësore dhe gjithashtu mund të rrezikojë perspektivat e vendeve të tilla për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, i cili ka standarde më të rrepta të emetimeve.

“Nuk ka burime në rajon për reduktimin e ndotjes së ajrit”, ka thënë Mirko Popoviq, drejtor i Institutit Rregullator të Energjisë së Rinovueshme dhe Mjedisit në Beograd.

Në BE, emetimet neto të gazeve serrë kanë rënë me rreth 40% që nga viti 1990, të nxitura nga përqafimi i energjisë së rinovueshme, thuhet në një raport të Komisionit Evropian në nëntor të vitit të kaluar. 

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar të reduktojnë emetimet e karbonit, por vështirësitë ekonomike kanë ngadalësuar progresin.

Kosova, një nga vendet më të varfra të Evropës, gjeneron më shumë se 90% të energjisë së saj nga qymyri. Banka Botërore vlerëson se një kalim në një ekonomi pa qymyr do të kushtonte 4.5 miliardë euro.

Ndikimi i ndotjes është i qartë në të gjithë rajonin, veçanërisht në dimër.

Smogu ka mbuluar Beogradin këtë javë, ndërsa Sarajeva ndodhet në një luginë që vepron si një kurth ndotjeje. Cilësia e ajrit të kryeqytetit boshnjak u klasifikua si “i rrezikshëm” të martën, më i keqi në botë, sipas IQAir, i cili gjurmon nivelet e ndotjes.

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, vendasit me maska shpesh humbasin pamjet e maleve aty pranë të mbuluara nga bora për ditë të tëra.

Shkalla e vdekjeve që i atribuohet ndotjes së ambientit është relativisht e lartë: 114 për 100,000 njerëz në Bosnje dhe rreth 100 në Serbi dhe Mal të Zi, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, krahasuar me vetëm 45 në Gjermani dhe 29 në Francë.

Ndërkohë, Gara është varrosur të hënën në një varrezë në Obiliq, jashtë kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Nga varrezat, pjesëmarrësit e ceremonisë së varrimit mund të dëgjonin zhurmën e një transportuesi aty pranë që transportonte qymyr nga miniera në termocentralet.

Mjeku i Garës, Haki Jashari, fajëson për kancerin e Garës vitet e tij në minierën e qymyrit dhe termocentralet ndotëse.

Shkalla e kancerit është më shumë se dyfishuar në Obiliq gjatë dy vjetëve të fundit, ka thënë Jashari, që sipas tij është rezultat i një gjenerate të ekspozimit ndaj ndotësve. Ai pret që gjendja të përkeqësohet.

Ministria e Energjisë e Kosovës i ka thënë Reuters se është e përkushtuar për reduktimin e emetimeve dhe po investonte në projektet e energjisë së rinovueshme dhe përmirësimin e impianteve ekzistuese.
Jashari dëshiron që kjo të mund të ishte bërë më shpejt.

“Ata do t’i mbyllnin termocentralet nëse ne do të ishim pjesë e BE-së. Është e papranueshme”, është shprehur ai./Koha.net

Read Previous

FIA paralajmëron pilotët: Sharjet dhe protestat dënohen me gjoba, pezullim dhe zbritje pikësh

Read Next

Rutte thotë se fitorja e Rusisë në Ukrainë do të sillte pasoja të mëdha për NATO-n