Rama: Prodhimi nga energjia diellore në vend, 10% e prodhimit të përgjithshëm të energjisë

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot komentit të një prej ndjekësve virtualë në rrjetet sociale që i shkruan se “një kryeministër nuk mund të rrijë gjithë kohës në televizor sepse ka edhe punë të tjera”.

Kryeministri Rama u shpreh se “puna e tij është që të udhëheq duke menduar, lexuar, analizuar, diskutuar, debatuar, vendosur, mbikëqyrur, koordinuar, harmonizuar dhe informuar”.

Sipas kryeministrit, këto dritare të reja që ai ka hapur në rrjetet sociale janë një mënyrë për të debatuar dhe për të informuar mbi zhvillimet e fundit në vend, siç e fundit ishte marrëveshja e djeshme trilaterale në Abu Dhabi.

“Ti thua që një kryeministër ka punë të tjera për të nisur ditën, ndërsa dita ime nis me ty. Sa hap sytë, unë nis mendoj se çdo bëj sot me mandatin që kam marrë nga njerëzit për vendin tënd dhe timin, siç je dhe ti dhe ji i sigurt se asnjë nga punët e mia të mëdha apo të vogla nuk rri pa vëmendje dhe asnjëra nuk lihet pa u bërë. Edhe këto video janë thjesht një grusht minutash që nis sa gdhihet dita dhe mbaron pas mesnate”, u shpreh Rama.

“Dritaren e të rejave e kam hapur që kush më ndjek këtu dhe faleminderit edhe ty për këtë fakt ta dijë se çfarë bëjmë, ndër plot gjëra me rëndësi për vendin dhe njerëzit. Por, nuk ka rëndësi për kanalet dhe portalet që janë shumë të zëna me ato gjyqet popullore, me gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha. Ja për shembull: E ke dëgjuar në ndonjë media që prodhimi nga energjia diellore në vendin tonë ka arritur në 10% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë? Jo! Ama ke dëgjuar me siguri se Shqipëria ka prodhuar denbabaden energjinë që i duhet për veten, prandaj duhet ta ketë me bollëk kjo është një gënjeshtër e madhe sepse kurrë nuk ka qenë e vërtetë një gjë e tillë”, tha Kryeministri Rama.

Sipas Kryeministrit, “qershia mbi tortë e gjithë kësaj situate është fakti se çdo të vërtetë pozitive, mediatikët e quajnë propagandë”.

“I ke parë kur shtrihen dhe dergjen netëve në ato klubet mediatike dhe marrin nëpër gojë gjithë dynjanë dhe çdo gjysmë të vërtetë e quajnë fakt dhe e molloisin pa pushim derisa ua sjellin njerëzve në majë të hundës? E fundit, askush s’është i detyruar të hyjë këtu, gjithkush hyn me dëshirë. Ti thua se i sheh komunikimet e mia për qytetari, por jo se shuan kureshtjen për të rejat që unë do them, nëse unë them shuaje dhe kureshtjen sepse realisht do marrësh vesh plot të reja që ndryshe nuk do të t’i thonë”, theksoi Rama.

“Kanaleve dhe portaleve nuk u interesojnë punët dhe debatet serioze. Bëjnë spektaklin me rrëmujën, shpifjet, sherret si ato rrugaçët e lagjes, kacafyten. Ne, bëjmë sa mundemi, jo sa duam! Nuk i kemi të gjitha gjërat në dorë”, e mbylli përgjigjen, kryeministri Rama. /ATSH/

Read Previous

Macron bën thirrje për zgjidhje politike pas armëpushimit në Gazë

Read Next

Ukraina thotë se ka rrëzuar 34 dronë rusë gjatë një sulmi gjatë natës