Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, këtë të martë të 24 tetorit ka kthyer për rishqyrtim në Parlament Ligjin për Shtetësinë.
Sipas Presidencës, rezulton se katër nga pesë amendamentet e propozuara nga grupi i deputetëve, përcjellë kryetares së Kuvendit nuk kanë marrë votat e nevojshme për të krijuar shumicën e cilësuar prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
“Ky fakt e bën ligjin, antikushtetues për shkak se një numër dispozitash të tij nuk janë miratuar në përputhje me kërkesat e sanksionuara nga pika 2, shkronja b) e nenit 81 dhe pika 1 e nenit 83 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë”.
Nga procesverbali i seancës plenare të datës 21 shtator dhe të dhënave të votimit elektronik konstatohet se miratimi i amendamentit të dytë është bërë me 78 vota, i amendamentit të tretë me 77 vota, i amendamentit të katërt me 78 vota dhe i amendamentit të pestë me 79 vota.
Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara.
Presidenca thotë se për nga përmbajtja dispozitat e reja nuk bien në kundërshtim me dispozita substanciale të Kushtetutës.
“Dispozitat e ligjit kryesisht krijojnë lehtësira për marrjen e shtetësisë shqiptare, masa dhe lloji i të cilave është në gjykimin sovran të Kuvendit”.
Por theksohet se, këto lehtësira vlen të analizohen edhe në kontekstin e Konventës Evropiane për shtetësinë, e cila është konventë e Këshillit të Evropës, si dhe në kontekstin e raportit që krijojnë me parimin e barazisë para ligjit.
/albanianpost/