Autoritetet në Varshavë kanë njoftuar se, në kuadër të projektit “Mburoja Lindore”, kanë filluar të vendosin edhe fusha me mina përgjatë kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë, si pjesë e barrierave mbrojtëse.
Ndërtimi i këtij sistemi mbrojtës filloi në nëntor të vitit të kaluar dhe puna tani është duke u zhvilluar gjatë gjithë vitit, shtatë ditë në javë.
Polonia po forcon kufijtë e saj në këtë mënyrë mes kërcënimeve në rritje të sigurisë që vijnë nga lindja, veçanërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Barriera shtrihet më shumë se 20 kilometra përgjatë kufirit të Polonisë me enklavën ruse të Kaliningradit, deri në Detin Baltik. Sipas Karol Frankowski, një zëdhënëse e ushtrisë polake, korridori i ri i sigurisë është një “shfaqje force”.
“Ne po mbrojmë kufirin tonë. Pamë çfarë i ndodhi Ukrainës gjatë luftës. Duhet të jemi të përgatitur për një sulm të mundshëm”, tha Frankowski.
Si anëtare e NATO-s, Polonia ka përmirësuar ndjeshëm aftësitë e saj ushtarake vitet e fundit. Ajo kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit në veri dhe me Bjellorusinë në lindje. Korridori i ngushtë tokësor midis dy vendeve çon në Lituani dhe shtetet baltike, dhe shpesh përshkruhet si “pika më e ndjeshme e NATO-s” në rast të një konflikti të armatosur.
Marek Świerczyński, kreu i Departamentit të Sigurisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare në Polityka Insight, përshëndeti progresin në projekt.
“Duket se një ndarje e re e Euroazisë po shfaqet para syve tanë”, tha Świerczyński.
Sekretari i Shtetit polak Cezary Tomczyk tha se projekti Eastern Shield, përfshirë atë përgjatë kufirit me Bjellorusinë, do të përfundojë brenda tre viteve të ardhshme. Projekti tashmë ka marrë financim prej shumë miliardë eurosh, përfshirë një kontribut nga Bashkimi Evropian.
Në mars, Ministria Polake e Mbrojtjes njoftoi se Banka Evropiane e Investimeve kishte rënë dakord në parim të ndante një miliard euro për këtë qëllim.
Përveç fushave të minuara, projekti përfshin gjithashtu një rrjet barrierash antitank, strehimore të fortifikuara dhe bunkerë./express/