Një person ka mbetur i plagosur në Vushtrri dhe është duke marrë trajtim mjekësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës dhe është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor, armëmbajtje pa leje dhe Gjueti e kundërligjshme”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka qëlluar/plagosur me armë zjarri viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK ndërsa nga i dyshuari janë konfiskuar dy armë gjuetie”, thuhet në raportin e Policisë.
Edhe në Deçan, një burrë është therur me thikë.
“Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime pasi që i njëjti dyshohet se është therur me një mjet të mprehtë, thikë nga i dyshuari kosovar, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Viktima pas tretmanit mjekësor në QMF-Deçan, është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në QKUK”.
Lidhur me rastin është thënë se është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka konfiskuar tri armë të cilat ishin duke u mbajtur pa leje brenda një dite, e po ashtu janë konfiskuar edhe rreth 60 fishekë.
“Policia gjatë patrullimit ka ndaluar një automjet, të drejtuar nga i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit është hasur dhe konfiskuar një armë-pushkë gjuetie me tre copë fishekë për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje për bartje të armës”, thuhet për rastin në Decan.
Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt
Kurse, dy persona të tjetër janë dërguar në stacion policor në komunën e Istogut, pasi të njëjti i janë konfiskuar dy armë dhe mbi 40 fishekë.
“Policia gjatë patrullimit ka ndaluar një automjet, të drejtuar nga i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, në dy çanta krahu kanë gjetur dhe konfiskuar dy armë/pistoleta, katër karikatorë dhe 44 fishekë. Dy të dyshuarit nuk kanë poseduar leje për armëmbajtje, përveç lejes për rekreacion/shenjëtari”.
Edhe në rastin e dytë në të njëjtën komunë është konfiskuar një armë.
“Policia gjatë patrullimit ka ndaluar një automjet të drejtuar nga i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit, në automjet është hasur dhe konfiskuar një armë zjarri/pistoletë me karikator me 14-fishekë, për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje për bartje të armës”.
Ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. /Albanianpost.com