Bizneset në Çarshinë e Vjetër janë jashtëzakonisht të shqetësuara pasi që iu ishte premtuar se punimet e fazës së parë për shtrimin e rrugëve me pllaka graniti në këtë pjesë, tashmë do të duhej të përfundonin, por intenziteti i punës nuk është më i njëjtë, madje punimet janë ndalur fare sipas bizneseve.
Ata po kërkojnë llogari nga komuna pasi që me këto biznese mbajnë familjet e tyre. Ne iu drejtuam drejtorisë për shërbime publike në Komunën e Gjakovës. Këtu drejtori Shkumbin Kastrati na njoftoi se punimet janë ndërprerë. Ndër të tjera ai sqaroi edhe arsyen e ndërprerjes së punimeve e që sipas tij faktori kyq është Ministria e Kulturës që fillimisht e kishte miratuar këtë projekt.
Kjo rrugë ishte e paraparë të përfundojë në afat prej 30 ditësh, secili segment të kryhej për 10 ditë, mirëpo tashmë punimet kanë mbetur pezull dhe bizneset janë ato që po e pësojnë.