Pesë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh ka bërë të ditur se brenda një dite janë raportuar pesë raste të dhunës në familje në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Kaçanik, Pejë dhe Malishevë. Lidhur me këto raste janë arrestuar tre burra dhe një grua.

Sipas Policisë, një grua është arrestuar të mërkurën në Prishtinë nën dyshimin se e ka sulmuar gruan e burrit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Prishtinë 03.07.2024 – 07:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga e dyshuara femër kosovare (ortakja e saj). Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Në Fushë-Kosovë raportohet se u arrestua një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.

“Fushë Kosovë 03.07.2024 – 21:41. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, në Kaçanik thuhet se u arrestua një burrë nën dyshimin se vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj anëtarëve të familjes.

“Kaçanik 02.07.2024 – 19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë ndaj anëtarëve të familjes së tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Sipas Policisë, një grua ka raportuar në Pejë se është sulmuar fizikisht nga babai i saj i cili gjendet në arrati.

“Pejë 03.07.2024 – 00:00. Viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga babi i saj i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti. I dyshuari gjendet në arrati”, njofton Policia.

Në Malishevë raportohet se është arrestuar një burrë nën dyshimin se ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj bashkëshortes. Viktima dhe fëijët janë dërguar në strehimore.

“Malishevë  01.07.2024 – 18:30. Më 03.07.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar,  për arsye se i njëjti vazhdimisht kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij viktimës shtetase e Shqipërisë. Viktima pas trajtimit mjekësor së bashku me fëmijët është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Tërhiqet nga zgjedhjet federale deputeti i parë afrikan në Gjermani

Read Next

Qytetarët mirënjohës për kontributin e Amerikës