Përfundon takimi Kurti-Vuçiq në Ohër

Ka përfunduar takimi i përbashkët midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kështu ka bërë të ditur ekipi nga RTV Dukagjini që është duke raportuar në Ohër.

Takimi ka zgjatur pak më shumë se një orë.

Para takimit trepalësh, Borrelli e Lajçaku kanë takuar ndaras kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë.

Së pari, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell e emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërsa, pastaj ata kanë pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Në agjendë të këtij takimi kanë qenë diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas këtij takimi pritet të ketë deklaratë për media nga kryediplomati Borrell dhe nga liderët Kurti e Vuçiq. /Dukagjini/

Read Previous

Shumë mamografi të palexuara në qendren e mamografisë në Gjakovë

Read Next

Vazhdon takimi Kurti-Vuçiq