Pas protestave, FIFA heq sponsorin saudit nga Botërori i femrave

Kupa Botërore e Futbollit për Femra do të zhvillohet në Australi dhe Zelandën e Re verën e ardhshme, duke nisur më 20 korrik me finalen e madhe të planifikuar saktësisht një muaj më vonë.

Në janar, disa konfirmime joformale, e panë FIFA-n, organizatore të eventit, shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme sponsorizimi me “Visit Saudi”, e cila do të bëhej një nga sponsorët kryesorë të eventit.

Që në fillim, Federata Australiane e Futbollit dhe disa shoqata për të drejtat e grave në mbarë botën, protestuan kundër këtij sponsori, duke nënvizuar se si pikërisht në Arabinë Saudite, pavarësisht disa hapave përpara, shumë të drejta të konsideruara themelore ende u mohohen grave.

Siç zbulohet nga “The Guardian”, fakti që FIFA nuk e ka bërë ende marrëveshjen zyrtare me “Visit Saudi”, u jep shpresë drejtuesve të Federatës Australiane të Futbollit që FIFA, me të cilët kanë biseduar disa herë për këtë temë, do të mund të bëjë një hap pas.

Kongresi i FIFA-s do të mbahet javën e ardhshme në Ruandë dhe sipas burimeve pranë federatës australiane, siç raportohet nga faqja e gazetës angleze, çështja mund të trajtohet sërish mes palëve.

Shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Australisë, James Johnson përsëriti se si institucioni që ai drejton nuk do të ishte i rehatshëm nëse “Visit Saudi” është një nga sponsorët e Kupës Botërore të Grave.

“Federata është konsultuar për këtë çështje me palët kryesore të interesuara, duke përfshirë qeverinë dhe partnerët tregtarë, dhe pati një konsensus dërrmues që ky partneritet nuk përputhet me vizionin tonë kolektiv për turneun dhe nuk i përmbush pritshmëritë tona”, tha ai.

“Megjithëse partneriteti nuk është konfirmuar nga FIFA, bazuar në konsultimet që kemi pasur me komunitetin tonë, palët kryesore të interesit dhe pozicionin tonë, ne nuk do të ndiheshim rehat me të”.

“Ndërsa presim qartësi dhe informacione të mëtejshme mbi detajet e partneritetit nga FIFA, ne vazhdojmë të japim këtë mesazh të qartë në emër të Federatës Australiane dhe Zelandës së Re dhe komunitetit tone, vazhdoi Johnson. /Albanianpost.com

Read Previous

Moti në Gjakovë – Parashikimi për 7 ditë

Read Next

SHBA-të dhe Kina drejt një konflikti të pashmangshëm, paralajmëron ministri kinez