Osmani paralajmëron pasoja juridike nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda 30 ditësh

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, deputetët do të përballen me pasoja juridike, shkruan Gazeta Sinjali.

Ajo bëri të ditur se nëse nuk ndodh përmbushja e këtij detyrimi kushtetues “shumë shpejt” do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim.

Osmani e cilësoi afatin e përcaktuar nga Kushtetuta si të detyrueshëm dhe jo opsional, duke theksuar se shkelja e tij nuk mund të kalojë pa pasoja.

“Kemi pasur takime të mira, por natyrisht që partitë kryesore i kanë qëndrimet ende diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë që brenda këtij afati nuk do të ketë afrim. Ka disa gjëra që mund të ketë afrim. Bllokada e tanishme te lloji i votimit është shumë, shumë jo racionale. I kemi edhe dy ose tri lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese rreth mënyrës së votimit. Nuk e di nëse në këto lëndë është kërkuar masë e përkohshme që të mos ecë afati, nëse nuk ka masë të përkohshme për mosrrjedhjen e afatit, neve na kanë mbetur më pak se 25 ditë dhe aktgjykimi i Gjykatës nuk e lejon si opsionale konstituimin brenda 30 ditësh, por e qartësoj duke marrë për bazë edhe interpretime të shteteve të ndryshme në sistem të ngjashëm kushtetues, e sa herë që kjo është e detyrueshme. Ajo çka e kam përmendur është që kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetues, do të thotë se moskryerja e detyrimit nuk ec pa pasoja – do të ketë pasoja juridike. Nuk është që ne mund të presim që Gjykata do të thotë: mirë, pas 30-ditësh vazhdoni njësoj. Nuk pres që do të ketë diçka të tillë. Unë planifikoj, në qoftë se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt, që t’i drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim, lidhur me atë se çka pas 30 ditësh, sepse dua të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh”, theksoi Osmani.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Rama: Dogana në Vërmicë, një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë

Read Next

Fanella e re e Barcelonës, miliona euro të fituara brenda 24 orëve