Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e reformave dhe investimeve në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, duke thënë se ato po e pozicionojnë Kosovën mes vendeve partnere që ndajnë vlerat e lirisë dhe sigurisë.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se këto deklarata i ka dhënë gjatë pjesëmarrjes në një panel në kuadër të sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka folur për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
“Në vazhdën e aktiviteteve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në SHBA, sot pata nderin të jem folëse në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Reformat tona dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar po ashtu rolin kyç të SHBA-së dhe aleatëve të tjerë në ndihmën për ndërtimin e një rajoni më të sigurt dhe të qëndrueshëm.
“Me mbështetjen e aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatëve të tjerë, po forcojmë themelet e një rajoni më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike”, ka shkruar tutje presidentja.