Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Boshnjakëve u ka ndarë mirënjohje dhe dekorata disa prej personaliteteve të shquara të këtij komuniteti, për kontributin e dhënë në shtetndërtim.
Ajo ka thënë se populli i Kosovës është mirënjohës ndaj komunitetit boshnjak, me të cilin ndan “një histori të përbashkët të dhimbjeve, vrasjeve, persekutimeve, deri te gjenocidi i kryer kundër nesh”.
E para e shtetit shtoi se synimet hegjemoniste të Serbisë nuk po ndalen ende, por se Kosova nuk do të zmbrapset asnjëherë për vendosjen e rendit dhe ligjit.
“Është një mundësi e shkëlqyer për t’i vlerësuar edhe një herë të arriturat tuaja, rolin tuaj në procesin e lirisë e të pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike në vendin tonë”.
“Populli i Kosovës ju është mirënjohës për kontributin tuaj historik në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike. Boshnjakët sot janë pjesë e rëndësishme e jetës demokratike të vendit tonë. Ne ndajmë një histori të përbashkët të dhimbjeve, vrasjeve, persekutimeve e deri te gjenocidi i kryer kundër nesh.
“Synimet hegjemoniste të Serbisë nuk po ndalen as sot siç ndodhi edhe me sulmin e fundit terrorist, akt agresioni kundër vendit tonë ku u vra rreshteri policor Afrim Bunajku. Për vendosje të rendit e ligjit dhe të mbrojtjes së sovranitetit nuk do të zmbrapsemi asnjëherë. Kosova është shtet përgjithmonë dhe shtëpi e të gjithëve, e tillë do të mbetet për herë”, deklaroi Osmani.
Me këtë rast ajo për ish-luftëtarin e UCK-së, Nehat Demiri, ndau çmimin post-mortum “Urdhri i lirisë”, për kontributin e tij.
Me dekorimin post-mortum është dekoruar edhe akademiku Jashar Regjep Agiq, me medalje presidenciale të meritave, për kontributin në arsimin dhe promovimin e identitetit boshnjak në Kosovë.
/klankosova/