Një protestë e radhës nga ana e opozitës është e pritshme paraditen e 1 gushtit, ku përpara Bashkisë së Tiranës është lajmëruar se do të ketë një tubim.
Lidhur me këtë, Policia ka njoftuar planin e masave, ndërsa ka bërë me dije rrugët ku do të bllokohet qarkullimi.
Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të zhvillimit të një tubimi, ditën e sotme, në orën 11:00, përpara Bashkisë Tiranë, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.
“Njoftojmë qytetarët se sot, prej orës 09:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës”, shkruhet në njoftim.
Policia apelon ndërkaq për të gjithë qytetarët, që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe. /Albanianpost.com