Policia e Kosovës gjatë operacionit policor të koduar “007”, ka sekuestruar 10 kilogramë drogë të llojit kokainë në vlerë prej 450 mijë eurosh.
Lajmin e ka bërë të ditur policia përmes një komunikate për media, ku ka thënë se janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale.
“Gjatë operacionit policor të koduar “007”, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij, në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro)”.
Policia, ka kryer bastisje edhe në shtëpinë e personit të dyshuar në komunën e Graçanicës.
“Gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një veturë me targa vendore, 1445 (njëmijë e katërqind e katërdhjetë e pesë euro), 8970 (tetëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë dinarë), dy telefona celularë, 17 (shtatëmbëdhjetë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave) të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e policisë.
Ndërsa në konsultim me prokuroin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është iniciuar rasti për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’. /Albanianpost.com