OKC triumfon në ndeshjen e shtatë dhe kalon në finalen e Konferencës së Perëndimit

Basketbollistët e Oklahoma City Thunder mposhtën bindshëm Denver Nuggets në ndeshjen e shtatë të gjysmëfinales së Konferencës Perëndimore, me rezultatin 125:93, duke siguruar kalimin në finalen e madhe të Perëndimit.

Me këtë fitore, Thunder përmbylli serinë me shifrat 4:3, duke eliminuar ish-kampionët e NBA-së dhe duke siguruar përballjen e radhës kundër Minnesota Timberwolves.

Denveri e nisi më mirë takimin dhe në çerekun e parë krijoi një epërsi prej 10 pikësh, por Oklahoma reagoi fuqishëm me një seri prej 13:0, duke përmbysur ndeshjen.

Pjesa e parë ishte e barabartë për pjesën më të madhe të saj, por në minutat e fundit Thunder mori kontrollin, duke krijuar një epërsi dyshifrore 54:43 dhe duke shkuar në pushim me avantazh 60:46.

Dominimi i vendasve u thellua në çerekun e tretë, kur përparësia arriti shpejt në mbi 20 pikë, duke e vulosur praktikisht fatin e ndeshjes dhe të serisë.

Heroi i Oklahomës ishte sërish Shai Gilgeous-Alexander, i cili realizoi 35 pikë, 4 asistime dhe 3 kërcime. Jalen Williams kontribuoi gjithashtu me 24 pikë dhe shtatë asistime.

Finalja e Konferencës Perëndimore midis Minnesota Timberwolves dhe Oklahoma City Thunder do të nisë natën mes të martës dhe të mërkurës.

Ndërkohë, në Konferencën e Lindjes në finale janë New York Knicks dhe Indiana Pacers. /Telegrafi/

Read Previous

Clinton reagon pasi Biden u diagnostikua me kancer

Read Next

Mjeku më i ri në botë