Oda Ekonomike e Kosovës: KEK garanton furnizim me energji elektrike pa ndërprerje për bizneset për 60 ditë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka njoftuar opinionin publik dhe bizneset anëtare se më 9 qershor është zhvilluar një takim konstruktiv me Ushtruesin e Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Gramos Hashani, dhe ekipin e tij drejtues.

Tema kryesore e diskutimit ishte zbatimi i Rregullores së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF) të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë takimit, Hashani theksoi se KEK “nuk do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për asnjë biznes për një periudhë minimale prej 60 ditësh, pavarësisht nëse gjatë kësaj kohe bizneset kanë arritur apo jo të lidhin kontratë me KEK-un si FMF.”

Kjo garanci e furnizimit pa ndërprerje synon të ofrojë stabilitet dhe siguri për bizneset gjatë periudhës së tranzicionit.

KEK gjithashtu inkurajon konsumatorët që “të gjejnë sa më herët furnizuesin e ri të energjisë, në mënyrë që të shmangin çdo pasiguri në furnizim pas përfundimit të periudhës 60-ditore.”

Përveç kësaj, operatori ofron edhe kontrata komerciale, si mundësi shtesë për bizneset që dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me KEK-un si furnizues i drejtpërdrejtë në tregun e hapur.

Oda Ekonomike e Kosovës nënvizon se për çdo paqartësi apo nevojë për mbështetje, “OEK mbetet në dispozicion të anëtarëve të saj.” /Telegrafi/

Read Previous

Kush do të jetë trajneri i ardhshëm i Italisë? Flet presidenti i federatës, Gravina

Read Next

OpenAI dyfishon të ardhurat vjetore, arrin në 10 miliardë dollarë