Pas një mori diskutimesh me 18 duar të ngritura kundër, 15 pro dhe një abstenim nuk u votua buxheti i komunës së Gjakovës për vitin 2022 dhe dy vitet e tjera. Pikë kjo që nxiti diskutim më të shtuar dhe bëri që këtë radhë asambleistët të mos e miratojnë, duke kërkuar fjalën për të argumentuar se ky projekt buxhet nuk meriton të aprovohet. Kërkesat e qytetarëve nuk janë marrë parasysh, kështu u shpreh Anton Shala kryesuesi në detyrë i asamblesë. Konkretisht ai përmendi se për cilat projekte bëhet fjalë.
Asambleisti nga opozita Ali Tafarshiku në lidhje me ndarjen e buxhetit që është bërë për shkollën në Ponoshec pohoi se me një shumë të tillë as gropa nuk mund të hapet.
Në foltore folën edhe disa asambleistë nga radhët e partive të tjera, duke lënë të kuptohet se ishin kundër buxhetit të planifikuar.
Për të gjitha këto pati përgjigje kryetari në detyrë, Ardian Gjini, i cili në një replikë tha se Gjakova nuk duhet t’i dhimbset askujt.
Kujtojmë se në këtë mbledhje drejtori në detyrë për buxhet dhe financa, Durim Halilaj bëri të ditur se buxheti total për vitin fiskal 2022 ishte planifikuar në vlerën prej 27 milion e 816 mijë e 931 euro. Por, që me shumicë votash ky buxhet nuk kaloi. Ndërsa borxhi që komuna ka karshi operatorëve ekonomik është 300 mijë euro.