Ukraina thotë se është duke hetur për më shumë se 21,000 krime lufte dhe krime agresioni që dyshohet se janë kryer nga Rusia që prej fillimit të pushtimit të saj në vend.
Prokurorja e Përgjithshme Iryna Venediktova tha për BBC se po merrte raporte për 200 deri në 300 krime lufte në ditë.
Rusia nisi pushtimin ndaj Ukrainës në 24 shkurt, por mohon çdo akuzë për krime lufte. Autoritetet ukrainase kanë deklaruar se ushtarët rusë që vranë, torturuan ose përdhunuan civilët “duhet të kuptojnë se është vetëm një çështje kohe kur ata të gjithë do të jenë në gjykatë”.
Prokurorja tha se megjithëse ekipi i saj po punonte në rajone anembanë Ukrainës, nuk ishte në gjendje të hetonte të gjitha rastet “si duhet dhe në mënyrë efektive” për shkak të mungesës së aksesit në njerëz dhe në disa zona.
Vetëm gjatë muajit maj 600 të dyshuar janë identifikuar dhe kanë nisur rreth 80 ndjekje penale.
Burimi: BBC, CNN