Ngjarja tragjike në Prishtinë, çfarë dihet deri tani

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin të premten, ku një burrë dyshohet se fillimisht ka goditur me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

Tragjedia ndodhi në një ndërtesë banimi në rrugën “B” në Prishtinë. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, bëri të ditur se burri ishte 34 vjeç, ndërsa gruaja 30 vjeçare.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Në vendngjarje janë thirrur edhe ekipet emergjente të cilat kanë konstatuar vdekjen e një personi, mashkull 34 vjeç,  ndërsa e lënduara, një grua 30-vjeçare, është dërguar për trajtim mjekësor,” deklaroi Ahmeti.

Pak orë pas ngjarjes, në media u publikua identiteti i viktimave,  burri është identifikuar si dizajneri Festim Isufi, ndërsa bashkëshortja e tij, Rina.

Telegrafi ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës lidhur me rastin, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje.

Rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit policorë janë duke vazhduar me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/

Read Previous

Garë e fortë në Premier League për zonën “Champions”

Read Next

Rregull i ri për rifitimin e shtetësisë shqiptare