Në SHBA gjithnjë e më pak shoferë të rinj

Hulumtimi i fundit zbulon se të rinjtë e sotëm kanë më pak gjasa t’i nënshtrohen testeve të drejtimit.

Hulumtimi i kryer nga “MarketWatch Guides” tregon se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zvogëlohet ndjeshëm numri i shoferëve më të rinj se 19 vjeç. Nga viti 2012 deri në vitin 2022, një rënie është vërejtur në 40 shtete federale. Rënia më e madhe ka shënuar Nju Jorku, ku numri i shoferëve të rinj ka rënë me 49 për qind.

Në Amerikë mund të marrësh patentë shoferin në moshën 16 vjeçare. Numri i shoferëve të mitur që kanë marrë të ashtuquajturën “licencë të plotë pa kufizime” ka rënë me 8.7 për qind në periudhën e përmendur.

Të dhënat zyrtare nga “FHA” (Administrata Federale e Autostradave) sugjerojnë të njëjtën gjë. Sipas statistikave zyrtare, në vitin 1983, 80 për qind e 18-vjeçarëve kishin patentë shofer, ndërsa në vitin 2021 kjo përqindje ra në 60 për qind. Pjesa e 16-vjeçarëve me licencë ra nga 46 në vetëm 25 për qind.

Në Amerikë aktualisht po debatohet për arsyet e kësaj tendence mes të rinjve. Të gjithë janë dakord që teknologjia është arsyeja kryesore sepse sot është shumë më e lehtë të arrihet një komunikim shumë më i mirë, pa pasur nevojë të largohesh nga komoditeti i dhomës së ndenjes.

Një arsye tjetër e përmendur është ekzistenca e shërbimeve të transportit publik, si dhe e shërbimeve të reja të transportit të ofruara nga “Uber” dhe “Lyft”. Ka edhe transportues të shumtë personalë të lirë, si biçikletat elektrike, të cilat plotësojnë plotësisht nevojat për transport të përditshëm.

Së fundi, një nga arsyet më të rëndësishme është rritja e çmimeve të makinave, por edhe vetë kostoja e pronësisë. Sigurimi po bëhet më i shtrenjtë, karburanti gjithashtu, dhe kompleksiteti në rritje i makinave dhe mirëmbajtja e rregullt është bërë shumë e shtrenjtë për shumë njerëz.

E gjithë kjo së bashku padyshim tregon për një tendencë që në Evropë mund të mos jetë ende aq e theksuar, por ndoshta do të bëhet shumë shpejt./AlsatM

Read Previous

Ronaldo nuk mungon në “Euro 2024”

Read Next

KFOR-i kërkon që të njoftohet me kohë për aksionet e Policisë apo FSK-së