Indiana Pacers ka marrë një epërsi 2-0 në serinë çerekfinale të Play-Off-it të NBA-së kundër Cleveland Cavaliers, pasi fituan një ndeshje dramatike si mysafirë me rezultat 120:119.
Cleveland e nisi fuqishëm ndeshjen, duke ndërtuar një epërsi prej 18 pikësh dhe duke e mbyllur çerekun e parë në avantazh të thellë, 32:15. Megjithatë, Pacers reaguan në pjesën e dytë dhe ngushtuan diferencën, duke shkuar në pushim me vetëm 11 pikë disavantazh.
Në çerekun e tretë, Cavaliers arritën ta ruajnë dhe madje ta zgjerojnë avantazhin, por fundi i ndeshjes i takoi plotësisht Pacers. Në minutën e fundit, ata realizuan një seri vendimtare prej tetë pikësh.
Koshin e fitores e shënoi Tyrese Haliburton me një treshe spektakolare: pas një gjuajtjeje të lirë të humbur, ai siguroi topin në kërcim ofensivë, depërtoi me driblim dhe realizoi gjuajtjen vendimtare nga distanca.
Aaron Nesmith dhe Myles Turner ishin më të mirët për Pacers, me nga 23 pikë secili. Në anën tjetër, 48 pikët e jashtëzakonshme të Donovan Mitchell për Cavaliers nuk mjaftuan për fitore.
Seria tani zhvendoset në Indianapolis për ndeshjen e tretë, e cila është planifikuar të luhet të shtunën.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër çerekfinale të mbrëmjes, Minnesota Timberwolves u mposhtën nga Golden State Warriors me rezultat 99:88, me GSW që merr avantazhin 0-1 dhe epërsinë e terrenit vendas. /Telegrafi/